Lajme

Komuna e Graçanicës thotë se i janë arrestuar dy zyrtarë të kadastrit për korrupsion

12/26/2024 14:45
nga:Sh R

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit e Policisë së Kosovës sot ka zhvilluar një operacion policor në komunën e Graçanicës. Nga ky operacion dy persona janë shoqëruar në polici për intervistim.

Pak më herët rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Gazetën Express, Baki Kelani.

“Mund të konfirmojmë se, Policia e Kosovës, në këtë rast Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, ka realizuar një operacion policor në komunën e Graçanicës. Ky operacion policor, deri më tani ka rezultuar me shoqërimin e dy personave të dyshuar për intervistim dhe procedura të mëtejme policore”, ka thënë Kelani, i cili tha se pas përfundimit dhe kompletimit të operacionit policor do të bëhen të ditura informacionet shtesë.

Megjithatë, informata rreth këtij rasti ka dhënë edhe kryetarja e Komunës së Graçanicës, Ljiljana Shubariq, e cila para gazetarëve tha se se janë arrestuar dy zyrtarë të kadastrit të komunës së Graçanicës.

“Komuna e Graçanicës dëshiron të informojë opinionin se sot pas ardhjes së Policisë së Kosovës në departamentin tonë, përkatësisht në Drejtorinë Komunale të Kadastrës, kanë ndaluar dy zyrtarë. E mira është se me këtë hetim dhe arrestim nuk u vu në dyshim puna e menaxhmentit komunal apo e menaxhmentit të Drejtorisë së Kadastrës. Është punë e vetinicuar e zyrtarëve të caktuar, kështu që ata tani janë të ndaluar. Do të ketë një hetim dhe nuk do të spekulonim më tej për procedurën e mëtejshme. Kur të marrim informacione të detajuara do të informoheni”, ka thënë ajo.

E pyetur se pse janë arrestuar zyrtarët, ajo ka deklaruar se bëhet fjalë për korrupsion, sipas mediumit në gjuhën serbe “KoSSev”.

“Ne thamë se ata (policia) mund ta bëjnë punën e tyre dhe duhet ta bëjnë atë”, përfundoi Shubariq.