Lajme

Komuna e Deçanit nën hetime për pronat e Manastirit

06/03/2022 19:13
nga:Astrit Gashi

Prokuroria Themelore e Pejës ka nisur hetime ndaj Komunës së Deçanit për moszbatimin e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës – të vitit 2016 – përmes të cilit, Manastirit të Deçanit i njihet pronësia edhe mbi 24 hektarë tokë.

Nisjen e hetimeve për këtë rast e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, Agim Kurmehaj.

“Po, hetimet i kemi filluar. Procedura është te ne, kaq mund të them tani. Janë duke u marrë disa veprime në këtë drejtim”, ka thënë shkurtimisht Kurmehaj.

Nisja e hetimeve vjen gati nëntë muaj pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka dërguar një letër kryeprokurorit të atëhershëm të shtetit, Aleksandër Lumezi, në të cilën është thënë se “i takon Prokurorisë së Shtetit të ndërmarrë veprime” për moszbatimin e aktgjykimeve, në përputhje me kompetencat e saj ligjore.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit – i cili ndodhet rreth 100 kilometra në perëndim të Prishtinës – nuk zbatohet tash e gjashtë vjet nga organet komunale të Deçanit. Sipas tyre, ata 24 hektarë tokë u takojnë dy ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria”, që ndodhen në këtë komunë.

Në deklarime të ndryshme, zyrtarët e pushtetit qendror dhe lokal, përfshirë këtu kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, kanë thënë se Gjykata Kushtetuese, me vendimin e vitit 2016, ka legalizuar një vendim të vitit 1997 të ish-udhëheqësit të Serbisë, Sllobodan Millosheviq, përmes të cilit, “toka i është falur Manastirit”.

Pas konfirmimit për nisje të hetimeve nga Prokuroria e Pejës, Radio Evropa e Lirë ka provuar disa herë të flasë me Ramosajn, por ai vazhdimisht ka thënë se është i zënë me takime.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, thotë se nisja e hetimeve të tilla nga ana e Prokurorisë së Shtetit është një praktikë që nuk ka ndodhur më parë.

Ai shpreh dyshime nëse ky institucion ka bazë ligjore për t’i kryer këto hetime.

“Përderisa Kodi Penal i Republikës së Kosovës dhe Kodi i Procedurës Penale e përcaktojnë në mënyrë të qartë se institucioni i Prokurorit të Shtetit ka të drejtë të iniciojë apo të fillojë hetime në rastet kur nuk bëhet zbatimi i vendimeve gjyqësore të gjykatave të rregullta, një sanksion i tillë në Kodin Penal të Kosovës nuk ekziston sa i takon moszbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, thotë Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.

Në një deklaratë të mëhershme për REL-in, njëri nga hartuesit e Kushtetutës së Kosovës, Arsim Bajrami, njëherësh profesor i së drejtës kushtetuese, ka thënë se në ligj apo Kushtetutë nuk ekziston ndonjë sanksion konkret – penal apo çfarëdo qoftë – për subjektet që refuzojnë t’i zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, ka deklaruar, po ashtu, më herët për REL-in se vendimi i Gjykatës Kushtetuese “është çështje e përfunduar” dhe se institucionet e Kosovës duhet ta zbatojnë atë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë në një konferencë për media më 1 qershor se Qeveria nuk është përgjegjëse për zbatimin e këtij vendimi dhe ka kundërshtuar përmbajtjen e tij.

“Janë të panumërta shkeljet” nga ana e Gjykatës Kushtetuese, ka thënë Kurti, për të shtuar se ai ka insistuar vazhdimisht në nisjen e dialogut me priftërinjtë kryesorë të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.

Por, në një reagim në rrjetin social Facebook, më 30 maj, përfaqësuesi i Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, Igumeni Sava Janjiq, ka thënë se “kjo marrëdhënie e pandershme dëshmon më së miri mosgatishmërinë e institucioneve të Kosovës për të respektuar normat e veta ligjore dhe lirinë elementare fetare të Kishës Ortodokse Serbe”.

Nga koha kur Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendimin në favor të Manastirit të Deçanit, komuniteti ndërkombëtar ka bërë vazhdimisht thirrje për zbatimin e tij, duke kërkuar që Manastiri të lejohet të regjistrojë në kadastër edhe 24 hektarë tokë dhe pyje.

Më 20 maj, në ditën kur janë bërë gjashtë vjet nga nxjerrja e vendimit, shtetet e QUINT-it – SHBA-ja, Gjermania, Franca, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar – kanë dërguar thirrje të ngjashme në adresë të Qeverisë së Kosovës.

“Zbatimi i ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime të të gjitha qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike. Po ashtu, ato janë parakushte për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike”, ka thënë QUINT-i përmes një deklarate.

Në muajin prill, Parlamenti Evropian ka thënë se moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese “dëmton përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të forcuar sundimin e ligjit dhe respektin për pavarësinë e gjyqësorit”.

Departamenti amerikan i Shtetit, në raportin për liritë fetare në botë, të publikuar më 2 qershor, ka përmendur po ashtu çështjen e pronave rreth Manastirit të Deçanit, duke thënë se moszbatimi i vendimit të Gjykatës “ka çuar në shkëputjen e komunikimit në mes të Manastirit dhe Qeverisë”.

Ditëve të fundit, ka pasur edhe zëra se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës mund të kushtëzohet me zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

“Nëse, për shembull, Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës jep rekomandime, nëse duhet të miratohet rasti i Kosovës, atëherë unë jam i sigurt që aty do të jetë i shkruar edhe zbatimi i vendimeve”, ka thënë ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, në një intervistë për televizionin “Klan Kosova”, më 27 maj.

Kryeministri Kurti u ka thënë gazetarëve më 1 qershor se Kosova, deri më tani, nuk ka asnjë informatë për një kushtëzim të tillë.

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk beson se kjo çështje mund të nxirret si kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Por, thotë ai, në rast të anëtarësimit, zbatimi i vendimit është i pashmangshëm.

“Edhe nëse kjo çështje nuk do të jetë si kusht, anëtarësimi në Këshillin e Evropës nënkupton faktin se ne do të bëhemi pjesë e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut dhe, rrjedhimisht, do të fitonim mundësinë që të padisim dhe të jemi të paditur para Gjykatës Evropiane për mbrojtjen e këtyre të drejtave”, thotë Hoti.

Anëtarësimi në Këshill të Evropës, dritare për më shumë drejtësi
A është Kosova e gatshme për anëtarësim në Këshillin e Evropës?
Ai shton se anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës do t’i jepte mundësi Kishës Ortodokse Serbe që t’i padisë institucionet e Kosovës për moszbatim të vendimit të Kushtetueses.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj.

Këshilli i Evropës, me seli në Strasburg të Francës, është një organizatë që në fokus ka të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit.