Qeveria ende nuk i ka kompensuar dëmet për komunat e prekura në vërshimet e këtij viti.
Kështu ka thënë kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, sipas të cilit, kompensimi nuk është bërë as për disa nga komunat për vërshimet që vitin e kaluar.
“Është për t’u ardhur keq që pas disa muajve, ende qytetarët e prekur nga reshjet e fundit nuk janë kompensuar. Komunat i kanë kryet obligimet e tyre ligjore, por Qeveria ka mbetur t’i kompensojë qytetarët. Ka kaluar më shumë se një muaj që të gjitha komunat i kanë dorëzuar raportet për dëmet e shkaktuara nga vërshimet, por është në duar të Qeverisë. Sipas informatave që kemi nga kryetarët e komunave, dëmet e shkaktuara nga viti i kaluar nuk janë kompensuar ende në disa raste. Pra, presim që Qeveria të reflektojë sa më shpejt që është e mundur dhe t’i kompensojë qytetarët nga dëmet e shkaktuara nga vërshimet”, tha Ibrahimi për Gazeta Blic.
Lidhur me këtë, për Gazeta Blic ka folur kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, e cila më herët ka pasur vërshime.
Ai thotë se qeveria për vërshimet e vitit 2021 i ka kompensuar vetëm ekonomitë familjare dhe jo bizneset e bujqësinë.
“Te ne, për vërshimet e vitit 2021 Qeveria i ka paguar personat fizik por shumë pak, me sa kam info. Bizneset dhe bujqësinë nuk i ka kompenzuar, vetëm ekonomitë familjare”, thotë Lladrovci për Gazeta Blic.


