Sporti

Kompany: Laçi ka mbrojtje të fortë, nuk është lehtë përballja me ta por besojmë në kualifikim

08/05/2021 08:34
nga:E K

Trajneri i Anderlecht, Vincent Kompany pati fjalë të mëdha për skuadrën e Laçit.

Anderlecht dhe Laçi do të përballen nesër ne “Elbasan Arena” në kuadër të kualifikimeve për Europa Conference League.

Në fakt, mediat belge theksonin se Kompany nuk do të ishte prezent në Shqipëri shkaku që ish-mbrojtësi i Manchester Cityt nuk ishte i pajisur me “Licencën Pro të FIFA-së” dhe kjo e penalizonte atë të paraqitej në gara ndërkombëtare.

Mirëpo, ai është prezent në Shqipëri dhe në konferencën për shtyp para ndeshjes me Laçin pati fjalë të mëdha për skuadrën shqiptare.

“E gjithë kjo është thjesht një burokraci dhe nuk besoj se është ndonjë gjë e madhe por gjithsesi e rëndësishme është që unë jam pranë skuadrës dhe dëshirojmë të bëjmë mirë”, tha ai.

“Nuk e kemi nisur mirë sezonin, por nuk ndihem nën presion. Ne kemi ardhur në Shqipëri për të fituar dhe besoj që do t’ia dalim mbanë dhe pse llogaritë do të bëhen në përfundim, pas ndeshjes së kësaj të enjteje dhe asaj të javës së ardhshme”, shtoi ai.

“Në nuk e nënvleftësojmë kundërshtarin. Sigurisht i bëjmë llogaritë me veten tonë, por Laçit i kam parë 2-3 ndeshjet e fundit për të kuptuar mënyrën sesi luajnë. E di që lojën e tyre e bazojnë në një mbrojtje shumë të fortë dhe besoj se nuk do ta kemi të thjeshtë të përballemi me ta, sepse kanë treguar në disa ndeshje që nuk është e thjeshtë t’iu shënosh gol”, tha Kompany.

“Megjithatë ne do të bëjmë të gjitha përgatitjet dhe të sigurohemi që të bëjmë një paraqitje të mirë nesër”, përfundoi Vincent Kompany.