Lajme

Kompania e shqiptarit në Gjermani me plane për investime në Kosovë, Isak Neziri jep lajmin

12/18/2024 21:18
nga:G B

Kandidati për deputet nga PDK-ja, Isak Neziri ka takuar sot në Gjermani, Faruk Imerin, pronarin e kompanisë së njohur të marketingut dhe reklamave “Luki”. Gjatë këtij takimi, Imeri shprehu interes të veçantë për të investuar në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e lidhjes mes mërgatës dhe Kosovës.

Faruk Imeri ka bërë emër në botën e marketingut ndërkombëtar, duke punuar me kompani prestigjioze si Lidl, Porsche dhe Suzuki. Gjatë bisedës me kandidatin për deputet nga PDK, Isak Nezirin, ai nënvizoi dëshirën për të eksploruar mundësitë e investimit në sektorë strategjikë të ekonomisë së Kosovës, duke kontribuar kështu në zhvillimin e vendit.

Këtë e ka bërë të ditur përmes platformave të tij në rrjete sociale, kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Isak Neziri.

“Reklamat e Lidl, Porsche, Suzuki e shumë brendeve të njohura botërore punohen nga duart e arta të një mitrovicasi, Faruk Imeri. Me kompaninë e tij Luki, ai ka bërë emër në fushën e reklamimit dhe marketingut kudo në Gjermani dhe jashtë saj.  Gjatë bisedës së ngrohtë në zyrat e kompanisë Luki, Faruku shprehu interesim për investime në Kosovë dhe u pajtuam për një vizitë së shpejti në vendin tonë. Me djem si ky, Kosova mundet ma mirë”, ka shkruar Neziri.

Nga ana e tij, kandidati për deputet Isak Neziri shprehu mirënjohje për angazhimin e Imerit dhe vlerësoi rolin e tij si një shembull frymëzues për të gjithë shqiptarët. Neziri theksoi se bashkëpunimi mes diasporës dhe institucioneve vendase është çelësi për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Të dy palët u pajtuan për një vizitë në Kosovë në javët e ardhshme, ku do të shqyrtohen mundësi konkrete për investime dhe projekte të përbashkëta.

Ky zhvillim pritet të sjellë një impuls pozitiv në fuqizimin e lidhjeve mes diasporës dhe Kosovës, duke hapur rrugë për projekte të reja ekonomike dhe sociale.