Lajme

Komisioni Ekzekutiv për Shëndetësi mbajti mbledhjen e tretë, u nënvizua nevoja për transformimin dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore

10/01/2022 20:16
nga:Astrit Gashi

Nën kryesimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Komisioni Ekzekutiv për Shëndetësi mbajti mbledhjen e tretë.

Në fjalën e tij hyrëse, kryeministri Kurti theksoi edhe një herë rëndësinë e punës së përbashkët të Komisionit, për vlerësimin e kapaciteteve të nevojshme për transformimin dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore për qytetarët e vendit.

Për këtë në takimin e sotëm u prezantuan dhe diskutuan dy studime të fizibilitetit në sektorin e shëndetësisë.

Studimi i parë, për Spitalin e Prishtinës, ishte përgatitur nga ICME dhe u prezantua nga kryetari i Komunës së Prishtinës z. Përparim Rama dhe zyrtarët e tij. Ndërsa, studimi i dytë, për ShSKUK-në, u prezantua nga z.Thomas Weismann, ekspert gjerman për ekonomikë shëndetësore, me titullin “Përmirësimi i infrastrukturës fizike të institucioneve të kujdesit shëndetësor sekondar dhe terciar”.

Kurti informoi Komisionin që në mbledhjen e djeshme të Qeverisë, është miratuar Udhëzimi Administrativ për licencim të profesionistëve të huaj shëndetësor. Miratimi i Udhëzimit do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën dhe shëndetin e qytetarëve, duke plotësuar ofrimin e shërbimeve që mungojnë ose rrezikojnë të mos ofrohen. Po ashtu, ardhja e profesionistëve të mërgatës do të mundësojë trajnimin dhe aftësimin e profesionistëve vendas për të ofruar këto shërbime në të ardhmen.

Mirëpo, Kurti theksoi që Udhëzimi nuk mund të arrijë qëllimin e vet pa hapa konkretë, të shpejtë dhe të vazhdueshëm për të siguruar zbatimin e tij. Andaj, anëtarët e Komisionit janë dakorduar që Ministria e Shëndetësisë dhe ShSKUK-ja të nisin menjëherë hapat e nevojshëm për të planifikuar sjelljen e sa më shumë të mjekëve specialistë nga mërgata për dhënie të shërbimeve dhe ofrim të trajnimeve.Kurti nënvizoi se jetësimi i kësaj iniciative është çështje urgjente dhe se çdo ditë vonesë është kohë e humbur.​