Komisioni i Qeverisë së Serbisë për Persona të Zhdukur ka njoftuar sot se për nesër është planifikuar përfundimi i aktiviteteve për kërkimin e terrenit në lokacionin e minierës Shtaval, për të verifikuar pretendimet e Kosovës se eshtrat e personave të listuar si të zhdukur janë varrosur në këtë lokacion, transmeton Danas, përcjellë Gazeta Blic.
Në deklaratë thuhet se kërkimi i terrenit ka filluar më 10 maj dhe se lokacioni i minierës në Shtaval është gërmuar nga organet kompetente shtetërore të Serbisë, me urdhër të Prokurorisë për Krime Lufte.
Përveç organeve kompetente shtetërore, të pranishëm në cilësinë e vëzhguesve ishin edhe ekspertë të mjekësisë ligjore nga Serbia, ekspertë të EULEX-it, përfaqësues të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, UNDP dhe delegacionit të Prishtinës të përbërë nga ekspertë të Grupit Punues për Persona të Zhdukur në Kosovë.


