Lajme

Komisioni për Siguri ngrit dyshime për tensione në veri

09/28/2024 22:15
nga:Sh R

Anëtarët e komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes në Kuvendin e Kosovës kanë paralajmëruar se grupet ekstremiste serbe mund të tentojnë përsëri të ngrisin tensione në katër komunat veriore. Sipas tyre, është e mundshme që të ripërsëritet rasti i Banjskës, por në mënyrë më të përgatitur.

Kohët e fundit janë shpeshtuar paralajmërimet rreth rrezikut që i kanoset Kosovës nga një sulm i mundshëm nga Serbia.

Në këtë mënyrë, po konsiderohet se shteti serb ka synim ta izolojë Kosovën në aspektin diplomatik.

Për të parandaluar këtë, anëtari i komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes në Kuvendin e Kosovës, Anton Quni, thotë se institucionet e sigurisë duhet të jenë në gatishmëri të lartë.

“Përderisa kemi shumë çështje të pazgjidhura në raport Kosova me Serbinë, të gjitha institucionet e sigurisë duhet të tregojnë një gatishmëri të lartë në parandalimin e akteve të tilla e para duke bashkëpunuar institucionet mes vete, po ashtu me partnerët tanë strategjik. Ne e dimë natyrën e Beogradit, përkundër asaj shpërfaqjes politike në arenën ndërkombëtare ata përdorin edhe mënyra të tilla të destabilizimit të kosovës të diskretimit të institucioneve tona dhe veprimeve tona”, tha Quni.

Sipas ish-ushtarakut, skenari i vitit të kaluar nga grupi terrorist serb me në krye Millan Radojiçiq, mund të përsëritet, por në mënyrë edhe më të përgatitur.

“Është e mundshme që ky skenar mund të përsëritet por tani më duhet të jemi edhe më të kujdesshëm sepse edhe ata i kanë mësimet e mësuara nga veprimet e para një viti, nëse tentojnë do jenë më të sofistikuar më të përgatitur prandaj edhe ne duhet të jemi në nivelin e duhur”, tha ai.

Edhe anëtari tjetër i këtij komisioni nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, tha për Tëvë1 se Serbia mund t’i nxitë këto grupe për ndërhyrje në veri të Kosovës.

“Institucionet e sigurisë po e bëjnë punën mëse miri që dinë, prandaj unë besoj shumë që në çdo lloj tentative që mund të ketë eventualisht nga grupe të tilla ne do t’i përgjigjemi edhe më vendosshmërisht se sa në vitin e kaluar. Sepse policia e Kosovës institucionet e Republikës së Kosovës janë më të forta se kurrë njëherë më parë”, tha Dugolli.

Sipas Dugollit, tashmë janë marrë masat për t’u përballur me situata të tilla.

“Natyrisht ka një prezencë të shtuar edhe të KFOR-it kështu që vëmendja e NATO-s është më e theksuar sidomos në atë pjesë të territorit dhe ju e keni pa që disa patrullime bëhen së bashku me Policinë e Kosovës, gjë që edhe Eulexi që është një element pozitiv sa i takon ruajtjes së paqes dhe sigurisë”, tha Dugolli.

Policia e Kosovës, ditëve të fundit, pas shënimit të njëvjetorit të sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ka rritur prezencën e saj me patrullime në zonat e rrezikuara që lidhin Kosovën me Serbinë.