Lajme

Komisioni për Legjislacion miraton kërkesën e ish-gjyqtarit të EULEX-it, Malcolm Simmons për raportim para deputetëve

06/22/2021 13:47
nga:Gazeta Blic

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit e ka miratuar kërkesën e ish- gjyqtarit të EULEX-it, Malcolm Simmons për raportim në Kuvendin e Kosovës, raporton Gazeta Blic.

Tashmë pritet të caktohet edhe koha kur pritet të raportojë Simmons për punën e EULEX-it në Kosovë.

“Për shkak se ai nuk jeton në Kosovë, duhet të koordinohemi për kohën kur të raportojë në Komision Parlamentar për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit”, tha deputetja Blerta Deliu, për Gazeta Blic.

Ndryshe, Simmons i kishte drejtuar një shkresë Kuvendit të Kosovës, me kërkesën që Komisioni Parlamentar për Legjislacion të dëgjojë deklarimet e tij lidhur me pretendimet për parregullsitë në funksionimin e Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë.

Malcolm Simmons kishte deklaruar se ky mision në disa raste nuk i ka zbatuar parimet e gjykimit të drejtë dhe të paanshëm në Kosovë.

Për këto pretendime të tij, ai kishte kërkuar të flasë para deputetëve të Kuvendit Kosovës, për çka Komisioni për Legjislacion kishte caktuar 18 janarin e këtij viti si datë për të dëgjuar deklaratat e tij.

Por një gjë e tillë nuk ndodhi për shkak të shpërndarjes së Kuvendit dhe shkuarjes së vendit në zgjedhje.

“S`po përzihet Përzereni”, nënkryertari i PDK Shaqir Totaj flet për zgjedhjet e brendshme të PDK-së