Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se seanca plenare e radhës do të mbahet të enjten, në orën 12:00, ku deputetët do të shqyrtojnë në lexim të parë tri projektligje që lidhen me sigurinë e qytetarëve, bujqësinë dhe cilësinë e ushqimit, si dhe raportin e Auditorit për buxhetin e vitit të kaluar.
Haxhiu ka njoftuar gjithashtu se ka filluar punën Komisioni Hetimor Parlamentar për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Ajo ka kërkuar zbardhjen e dështimeve institucionale dhe përgjegjësi për të gjithë zyrtarët që nuk vepruan në përputhje me detyrën.
Ajo ka theksuar se hetimet duhet të vazhdojnë pa vonesë dhe se Komisioni Hetimor do t’ia përcjellë raportin përfundimtar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Haxhiu ka kërkuar gjithashtu mbikëqyrje më të madhe të zbatimit të ligjeve, duke theksuar se çdo grua që kërkon mbrojtje nga shteti duhet ta marrë atë pa vonesë.


