Lajme

Komisioni Evropian sot rekomandon nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën

03/12/2024 08:36
nga:N K

Komisioni Evropian pritet që në takimin e kolegjit që do të mbahet të martën në Strasburg, të miratojë rekomandimin për vendimin e Këshillit për nisjen e negociatave të anëtarësimit në BE të Bosnje e Hercegovinës.

Për këtë vendim janë pajtuar strukturat e Komisionit dhe në takimin e së martës, më 12 mars, ai do të formalizohet, raporton REL.

Sipas procedurave të Bashkimit Evropian, Komisioni Evropian jep rekomandime ndërsa vendimet i merr Këshilli Evropian.

Në këtë rast, pasi të rekomandojë Komisioni, vendimin për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën duhet ta miratojnë liderët e 27 vendeve anëtare, në samitin e BE-së m 21 dhe 22 mars në Bruksel.

Liderët e BE-së, edhe në samitin e tyre në dhjetor të vitit të shkuar, kishin shprehur gatishmërinë për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën por kishin përmendur edhe disa kushte që ky vend do të duhej t’i përmbushte deri në fund të muajit mars.

Megjithatë ka ende ka disa shtete që janë skeptike ndaj vendimit për nisjen e negociatave me Bosnje e Hercegovinën, apo që kërkojnë që ky vendim të ketë edhe disa kushte shtesë para se negociatat të nisin.