Në takimin e kolegjit të 27 komisionarëve evropianë të mërkurën, më 8 nëntor, u miratua paketa e zgjerimit, së bashku me raportet individuale të progresit për të gjitha shtetet e përfshira në këtë proces.
Komisioni Evropian rekomandoi nisjen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, si dhe dhënien e statusit të vendit kandidat për Gjeorgjinë.
Komisioni Evropian rekomandoi edhe hapjen e negociatave të anëtarësimit të Bosnje e Hercegovinës me BE-në, kur të arrihet shkalla e nevojshme e pajtueshmërisë me kriteret për anëtarësim. Komisioni do t’i raportojë Këshillit deri në mars 2024 për çdo progres.
Përpjekjet për të arritur pajtim që edhe për Bosnje e Hercegovinën të rekomandohet nisja e negociatave kishte hasur në kundërshtime, gjatë takimit të shefave të kabineteve të zhvilluar të martën . Në këtë takim zakonisht dakordohet për tekstin final, para se ai të miratohet.
Për herë të parë, raportet e progresit u miratuan për dhjetë shtete që janë në këtë proces. Raportet u miratuan për gjashtë shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor – Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi – dhe për Moldavinë, Gjeorgjinë e Ukrainën. Po ashtu, Raport Progresi ende hartohet edhe për Turqinë, shtet që formalisht ende ka statusin e vendit kandidat. /REL