Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka ngritur shqetësime serioze lidhur me përfshirjen e fëmijëve në aktivitetet elektorale nga disa subjekte politike, duke theksuar se ky veprim përbën shkelje të të drejtave të fëmijëve.
Sipas raportimeve nga terreni, disa parti po përdorin fëmijët për promovim gjatë fushatës zgjedhore, një praktikë që KOMF e konsideron të dëmshme dhe që nuk është në interesin më të mirë të fëmijëve.
Për këtë arsye, KOMF ka apeluar që partitë politike të ndalojnë menjëherë shfrytëzimin e fëmijëve për qëllime elektorale.
Po ashtu, KOMF ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe media që të monitorojnë dhe raportojnë rastet e tilla, duke mbrojtur identitetin e fëmijëve.
KOMF i ka bërë thirrje edhe prindërve.
“KOMF në të njëjtën kohë i bën thirrje edhe prindërve që të mos i politizojnë fëmijët, të mos i përfshijnë në asnjë formë në fushatë dhe të mos i marrin fëmijët me vete në aktivitetet të cilat organizohen nga partitë politike”, thuhet tutje në komunikaten për medie.