Lajme

Komentoi diçka për Arben Vitinë, IKSHPK bllokon një qytetar – Ky i fundit ankohet

08/27/2021 21:32
nga:M K

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), edhe sot njoftoi se mbi 2 mijë persona kanë rezultuar pozitivë brenda 24 orëve, gjithashtu edhe gjashtëmbëdhjetë tjerë kanë vdekur. E ata që shprehin pakënaqësi lidhur me këto shifra alarmante, po penalizohen nga IKSHPK.

Fation Ibishi thotë se pasi shkroi diçka për ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitinë, IKSHPK’ja ia shleu komentin dhe ia pamundësoi për të komentuar përsëri duke ia bërë bllok.

Ibishi kishte komentuar “Arben Vitia: 200 raste veç në sabah, gjithë ditën a, 2 mijë”.

E lidhur me këtë çështje qytetari ka fajësuar ministrin Vitia dhe VV’në, ku sipas tij faqja e IKSHPK’së në facebook, po menaxhohet nga militantë ministrit dhe partisë.

“Këta janë duke dashur të instalojnë një lloj diktature në një institut publik. Instituti s’ka pasur arsye me ma fshi këtë koment, e me gjasë ky institut në facebook po menaxhohet nga militantët e Arben Vitisë dhe të VV’së”, ka folur Ibishi për Express.

Kosova radhitet e para në mesin e vendeve fqinje për kah numri i rasteve të infektimit me koronavirus për një periudhë prej dy javësh, sipas Universitetit Johns Hopkins. Matja është bërë nga data 13-26 gusht.

Në Kosovë, duke iu të dhënave të universitetit, që prej periudhës së përshkallëzimit të numrit të rasteve me Covid e deri të enjten, janë paraqitur 24,399 të infektuar me virusin korona. Ndërkaq, vetëm përgjatë 24-orëshit të fundit vendi ka pasur 2.098 të prekur nga koronavirusi, sipas raportit ditor të IKSHPK’së.

Në anën tjetër, vendi i dytë që ka regjistruar më së shumti raste përbrenda periudhës 2-javore është Serbia, me 21,997 raste.

Pas Serbisë, radhitet Maqedonia e Veriut me 12,749 të infektuar përbrenda 2 javësh.

Sa i përket numrit të vdekjeve si pasojë e Covid-19, Kosova radhitet e dyta në mesin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, me 111 të vdekur.

Maqedonia e Veriut është e para me 255 jetë të humbura si pasojë e Covid-19.

Vetëm përgjatë së premtes, Kosova ka regjistruar më së shumti raste të vdekjes si pasojë e koronavirusit (16), derisa vendet e Ballkanit Perendimor kanë regjistruar vdekje kështu si vijojnë: Serbia (8), Mali i Zi (4), Shqipëria (1). Shtetet e tjera, pjesë të kësaj zone, ende nuk kanë publikuar të dhënat ditore të Covid-19.