Komentatori i sportit në Kosovë, Arbër Avdyli thotë se Shqipëria nuk duhet ta nënvlerësojë assesi Italinë – sepse ata janë kampion aktual i Europës dhe kanë ekip mjaft të mirë.
Sipas Avdylit, në kohët e fundit po nënçmohet Italia, gjë që nuk duhet bërë dhe Sylvinho duhet ta ul euforinë tek kombëtarja, përcjell GazetaBlic Sport.
“Për Italinë po flitet sikur të ishte Dukagjini, Italia është kampion i Europës, ne do ta mbështesim në maksimum Shqipërinë – por s’duhet ta nënvlerësojmë në asnjë moment”, tha fillimisht Arbër Avdyli në emisionin Favorit në T7.
“Edhe nëse Shqipëria mbetet me 0 pikë nuk do ishte befasi. Spalletti po ka dëshirë të madhe ta fitojë ndeshjen e parë, pasi me tre pikësh mund të kualifikohet, duan të mposhtin Shqipërinë – ashtu siç duan edhe kuqezinjtë. Sylvinho ka bërë punë të jashtëzakonshme, por duhet të ul euforinë – e cila do jetë rreziku kryesor i yni”, përfundoi Avdyli.
Kujtojmë se Shqipëria ndeshjen e parë në EURO2024 e luan ndaj Italisë të shtunën nga ora 21:00.
/GazetaBlic Sport