Kosova dje filloi ciklin e kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.
“Dardanët” ndeshjen e parë e kishin në udhëtim ndaj Izraelit ku barazuan në “Bloomfield Stadium” me rezultat 1-1, shkruan GazetaBlic Sport.
Kosova ishte e para në avantazh pas autogolit të Dasa i cili topin e kthyer nga Rashica drejt Muriqit e devijoi në portën e tij në minutën e 36’të. Mirëpo në pjesën e dytë Izraeli barazoi shifrat me golin e Peretz. Rashica kishte rastin e artë që në sekondat e fundit t’i siguronte tre pikët e plota, por në rast ballë për ballë me portierin nuk arriti ta dërgoi topin në portë.
Komentatori i njohur shqiptar i futbollit, Ylli Aga në një intervistë për ‘GazetaBlic Sport‘ tha se Kosova tregoi dje një paraqitje shumë të mirë ndaj Izraelit, duke potencuar se ‘Dardanët’ kanë shans të mirë për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian pasi sipas tij Kosova ka lojtarë cilësor që i japin stabilitet ekipit si Rrahmani dhe Muriqi.
“Kam mbetur sërish i kënaqur nga Kosova, që konfirmoi stabilitet sa i takon mënyrës së lojës, nëpërmjet së cilës meritonte fitoren, si dhe përcolli me forcë një mesazh të qartë se pas Zvicrës, Kosova është pretendentja e dytë për t’u kualifikuar. Garanci për këtë objektiv janë, tanimë yjet e Kosovës, veçanerisht Rrahmani dhe Muriqi, që “peshojnë” më shumë se ekipi rumun dhe ai izraelit“, tha Ylli Aga për ‘GazetaBlic Sport’.



