Euro2024

Komentatori i njohur kosovar, Arben Berisha: Janë pjekur kushtet që Anglia ta fitojë titull kampion të Europës

07/12/2024 21:48
nga:Lorik J

Një nga komentatorët më të mirë të sportit që ka Kosova, Arben Berisha beson se kombëtarja angleze mund ta fitojë Kampionatin Evropian, EURO2024 në Gjermani.

Kombëtarja angleze të dielën do të përballet me Spanjën me fillim nga ora 21:00, në finalen e madhe që do të zhvillohet në Berlin, shkruan GazetaBlic Sport.

Berisha beson se janë pjekur kushtet që Anglia të fitojë titullin e parë në historinë e tyre në një Kampionat Evropian, pasi tashmë luajnë edhe finalen e dytë radhazi në këtë kompeticion masiv.

“Anglia mendoj se duke qenë se është finalja e dytë rresht e Kampionatit Evropian, cilën garë që s’e ka fituar asnjëherë, do bëjë gjithçka që është e munduar ta fitojë komplet, për faktin që të vetmin titull botëror e ka në vitit 1966. Problemi tjetër i anglezëve është që pasi e kanë zbuluar vet futbollin, ata mendojnë se janë më të mirët në futboll, edhe ata e thonë që ndoshta s’janë më të mirët – e kur ta kuptojnë këtë mund të kenë progres”, tha fillimisht Berisha në emisionin “Blic Interview”.

Berisha i bashkohet mendimeve që Anglia nuk ka pasur lojë të bukur, megjithatë thotë se tani është radha që “Tre Luanët” të triumfojnë në kompeticionin evropian.

“Finalja është e paparashikueshme, secili ekip e ka synimin ta fitojë. S’ka nevojë të themi Spanja ka lojën më të bukur dhe me meritë në finale, Anglia me shumë osilime, me vetëm një gjysmë orësh lojë të mirë ndaj Serbisë, ndeshjet tjera me kritika. Por besoj që kësaj radhe është momenti ta fitojë Anglia. Unë besoj që janë pjekur kushtet që Anglia ta fitojë titullin Kampion të Europës”, tha ndër të tjera Arben Berisha, komentatori i sportit në RTK.

/GazetaBlic Sport