Euro2024

Kombinimet që dërgojnë Shqipërinë tutje – kualifikimi nga vendi i tretë jashtëzakonisht i vështirë

06/24/2024 08:30
nga:E K

Kampionati Evropian, “Euro 2024” po dhuron emocione më të veçanta për fansat shqiptarë të futbollit.

Shqipëria me pjesëmarrjen e saj në Kampionatin Evropian që po mbahet në Gjermani po paraqitet në mënyrë tejet dinjitoze duke bërë krenar shqiptarët anë e mbanë globit, shkruan GazetaBlic Sport.

Në grupin që cilësohet si ‘i vdekjes’ Shqipëria ka arkëtuar tashmë një pikë ndaj Kroacisë në barazimin 2-2, kurse u mposht nga kampionët në fuqi të Evropës, Italia. Pavarësisht se ‘kuqezinjtë’ ishin duke avancuar që nga minuta e parë me golin e Nedim Bajramit që edhe theu rekordin për golin më të shpejt të realizuar në histori të Kampionateve Evropiane [pas 23 sekondave], Shqipëria nuk arriti ta mbante avantazhin duke humbur ndeshjen e parë të grupit B.

Situata në grupin B tashmë është e qartë sa i përket kundërshtarit të ardhshëm të Shqipërisë, Spanjës që siguroi kualifikimin tutje me fitoren e mbrëmshme ndaj Italisë [1-0], duke bërë që spanjollët të hyjnë në ndeshjen ndaj Shqipërisë pa presionin e pikëve dhe me shumë mundësi edhe me rotacione të shumta për të ruajtur lojtarët kyç për fazën tjetër.

Ndërkohë, rivalët tjerë, Italia dhe Kroacia do të përballen mes vete në xhiron e fundit ku do të jetë edhe determinuese për skuadrat që kalojnë tutje.

Aktualisht, Italia ka 3 pikë në vendin e dytë – Shqipëria e treta me një pikë, aq sa ka edhe Kroacia në vendin e fundit, por me gol-dallim më të dobët se ‘kuqezinjtë’.

POR, si kalon Shqipëria tutje?

Nëse Shqipëria arrin të ‘pamundurën’ duke fituar ndaj Spanjës atëherë kuqezinjtë do të jenë në fazën tjetër, qoftë edhe nga vendi i tretë, pavarësisht rezultatit të ndeshjes tjetër mes Kroacisë dhe Italisë.

Në rast se Shqipëria barazon me Spanjën atëherë, Kroacia nuk duhet të fitojë ndaj Italisë në mënyrë që Shqipëria të mbetet në vendin e tretë dhe të shpresoj që të jetë në ‘Top 4’ skuadrat më të mira nga vendet e treta.

Nëse, Kroacia dhe Shqipëria fitojnë ndeshjet e tyre respektive, atëherë –  Shqipëria do të pozicionohej në vendin e dytë në grupin B [përderisa Italia nuk mposhtet me +3 gola diferencë], duke lënë pa kaluar grupet kampionin në fuqi, Italinë.

Cilat janë gjasat e Shqipërisë për t’u kualifikuar me barazim me Spanjën nga vendi i tretë?

Natyrisht nëse Shqipëria barazon me Spanjën dhe Kroacia humb me Italinë, atëherë kuqezinjtë duhet të presin rezultatet e ndeshjeve tjera nga grupet e Euro 2024.

Ndeshjet që do t’i interesonin Shqipërisë në këtë skenar janë ajo mes Sllovenisë dhe Anglisë, Çekisë dhe Turqisë, Gjeorgjisë dhe Portugalisë si dhe ajo mes Serbisë dhe Danimarkës.

Shqipëria nga ky skenar do të shpresonte që Anglia ta mposht Slloveninë me dy gola diferencë, Turqia të fitojë ndaj Çekisë, Danimarka ta mposht Serbinë si dhe Gjeorgjia të mos marr pikët e plota ndaj Portugalisë.

Kjo është gjendja aktuale e vendeve të treta në Euro 2024:

/GazetaBlic Sport/