Kombëtarja e Serbisë ka mbërritur në Tiranë këtë të premte, 6 qershor, ku është pritur nga forca të shumta të policisë.
Shqipëria do të përballet me Serbinë më 7 qershor, duke filluar nga ora 20:45, në stadiumin “Air Albania”, Tiranë, për llogari të kualifikueseve të Kupës së Botës 2026.
Delegacioni i ekipit serb mbërriti në Tiranë nëpërmjet aeroportit të Rinasit pak pas orës 13:00, dhe hotel “Hilton” ku do të qëndrojë ekipi është vënë nën masa të rrepta sigurie.
Serbia refuzon akomodimin e propozuar nga FSHF-ja në Tiranë
Delegacioni serb ka refuzuar akomodimin e propozuar nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) për qëndrimin e tyre në Tiranë, teksa kanë zgjedhur një vendqëndrim të ri.
Federata Serbe e Futbollit (FSS) refuzoi të qëndronte në hotelin “Marriott”, i vendosur në kullën e stadiumit “Air Albania”, aty ku do të zhvillohet ndeshja.
FSS-ja ka zgjedhur të zhvendoset drejt hotel “Hilton”-it, i cili ndodhet më larg stadiumit dhe në Bulevardin “Gjergj Fishta”.
Gjithashtu, bëhet me dije se ekipi serb do të shoqërohet në çdo kohë nga një eskortë policie.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit “rruga nga hoteli ku është akomoduar ekipi i futbollit të Serbisë që ndodhet në bulevardin ‘Gjergj Fishta’, deri në drejtim të stadiumit ‘Air Albania’, përmes bulevardit ‘Bajram Curri’, pasditen e sotme në orën 16:30 dhe ditën e nesërme në orën 18:45, do ketë kufizime të pjesëshme deri ne 25 minuta në momentin që do eskortohet ekipi për në stadium për stërvitje mbasditen e sotme dhe nesër për të zhvilluar ndeshjen”.
Policia e Shtetit “është angazhuar maksimalisht që i gjithë aktiviteti të përfundojë me sukses porsa i përket masave të sigurisë, dhe në këtë kuadër me qëllim shmangien e incidenteve, apelojmë për mirëkuptim nga ana e qytetarëve, si dhe respektim të udhëzimeve të strukturave të policisë në terren”.
“Çdo sjellje apo veprim që cenon rendin dhe sigurinë publike do të trajtohet në përputhje me ligjin dhe me tolerancë zero”, theksojnë “uniformat blu”.
/albanianpost


