Sporti

Kombëtarja e Shqipërisë e të amputuarve do të marrë pjesë në Ligën e Kombeve ndërsa Kosova nuk ka mbështetje financiare

09/19/2023 16:31
nga:Lorik J

Federata shqiptare ka konfirmuar se Kombëtarja e Shqipërisë e të amputuarve do të marrë pjesë turneun e Ligës së Kombeve, që do organizohet nga Federata Europiane e Futbollit për të Amputuar në bashkëpunim me UEFA-n në Skoci në datat 27-29 tetor.

Mirëpo pjesëmarrja e Kosovës në këtë kompeticion është në dyshime për shkak të disa faktorëve që lidhen me mjetet financare. Sipas kapitenit të ekipit Mirjon Samadraxha, Federata e Futbollit të Kosovës i kishte njoftuar disa javë më parë se nuk mundet t’i financojë dhe mbetet të shihet se a do të arrijë dhe Kosova të paraqitet në këto gara evropiane.

Ky kompeticion do të funksionojë njësoj si ai i UEFA-s dhe organizohet për herë të parë për futbollin e të amputuarve, ndërkohë që ekipet pjesëmarrëse janë ndarë në katër divizione sipas renditjes së tyre. Çdo divizion përbëhet nga 4 ose 5 ekipe, të cilat do të luajnë ndeshje me sistem grumbullimi pikësh.

Kosova dhe Shqipëria do të garojnë në Divizionin D të Ligës së Kombeve të Futbollit për Amputuar së bashku me Azerbajxhanin, Holandën dhe Skocinë.