Lajme

Komandanti i KFOR’it takohet me ministrin e mbrojtjes së Maqedonisë, flasin për sigurinë dhe dialogun Kosovë-Serbi

08/26/2025 20:26
nga:Sh R

Komandanti i KFOR’it, Enrico Barduani, është takuar sot me Ministrin e Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut,Vlado Misajllovski dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Gjeneral Major Sashko Lafçiski, në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes në Shkup.

Në njoftimin e lëshuar nga KFOR thuhet se gjatë takimit u diskutua për mbështetjen e vazhdueshme të KFOR-it ndaj situatës së sigurisë në Kosovë, stabilitetit rajonal dhe dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

“Në këtë kontekst, Gjeneral Major Barduani ritheksoi përkushtimin e KFOR-it për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjitha komunitetet. Ai gjithashtu vlerësoi profesionalizmin e kontingjentit të Maqedonisë së Veriut dhe shprehu mirënjohjen për kontributin e tyre të çmuar ndaj KFOR-it dhe paqes e stabilitetit në rajon, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë dhe partneritetit ndërmjet KFOR-it dhe Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftim.