Lajme

Komandanti i KFOR-it: Situata pas Banjkës është e brishtë, por e qetë!

03/13/2024 10:08
nga:Y I

Komandanti i forcave veri-atlantike të NATO-së në Kosovë, Major Gjeneral Özkan Ulutaş, i cili është në krye të KFOR-it në vendin tonë ka folur për gjendjen e sigurisë në Kosovë, e në veçanti për atë në pjesën veriore të vendit.

Komandanti i KFOR-it që vjen nga shteti i Turqisë në këtë intervistë ka thënë se situata pas Banjkës është e brishtë, por e qetë.

KFOR-i po monitoron situatën dhe sipas komandantit të saj po fokusohet në disa faktorë kyç të cilët i ka përmendur.

Gjeneral Özkan Ulutaş ka folur edhe për rritjen e ushtarëve të KFOR-it në këtë pjesë të vendit dhe rëndësinë e komunikimit me të gjitha palët në Kosovë dhe rajon.

Si e vlerësoni situatën e sigurisë në Kosovë, e në veçanti në pjesën veriore të vendit?

Major General Özkan Ulutaş: Në përgjithësi, situata është e qetë, por mbetet e brishtë. Ne jemi duke monitoruar nga afër çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë në rajon, sepse ndërgjegjësimi për situatën është jetike për ne.

Vlerësimi im i situatës së sigurisë zakonisht fokusohet në disa faktorë kyç:

Stabiliteti dhe siguria: vlerësimi i stabilitetit të përgjithshëm brenda Kosovës, duke përfshirë praninë e çfarëdo tensioni që ndikon në një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet;

Liria e lëvizjes: monitorimi dhe sigurimi i lirisë së lëvizjes, që është një aspekt kritik i situatës së sigurisë dhe një mandat thelbësor i KFOR-it;

Incidentet e sigurisë: monitorimi dhe reagimi ndaj çdo incidenti të sigurisë që mund të ndodhë, duke vlerësuar ndikimin e tyre të mundshëm në mjedisin e përgjithshëm të sigurisë;

Bashkëpunimi me aktorët rajonalë dhe institucionet vendore: niveli i bashkëpunimit dhe dialogut në mes të KFOR-it dhe institucioneve vendore, si dhe shefit të Mbrojtjes së Serbisë, pasi ky është vendimtar për ruajtjen e paqes dhe sigurisë.

KFOR-i ka një prani të shkathët, fleksibile dhe të dukshme në mbarë Kosovën dhe ne mbetemi të fokusuar në zbatimin e përditshëm të misionit tonë të mandatuar nga OKB-ja. Ne vazhdojmë të ofrojmë një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), përkatësisht, me të cilin punojmë në koordinim të ngushtë./Telegrafi/