Lajme

Kolshi: Mosvotimi i komisionit të fshehtë për kryetarin e Kuvendit nuk ka pasojë juridike

05/19/2025 19:18
nga:G B

Melos Kolshi nga Instituti Demokratik i Kosovës (IKD), në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin Five në RTV Dukagjini, ka folur lidhur me situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës, ku as për herën e 18-të nuk është arritur të konstituohet ky institucion.

Kolshi ka thënë se, lidhur me kërkesën e grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për zgjedhjen e komisionit të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, IKD ka theksuar se në situatën në të cilën jemi, vendimi për mosvotimin e këtij komisioni nuk përbën një vendim të miratuar i cili mund të atakohet nga gjykata.

“Neni 113.5 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës i referohet kontestimit të kushtetutshmërisë së çfarëdo ligji ose vendimi të miratuar, e që në rastin konkret nuk kemi një vendim të miratuar, por kemi një vendim që realisht është i refuzuar.”

Tutje, ai ka thënë njëjtë është edhe sa i përket Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Nëse shohim me një prizëm ashtu, mund të themi që nuk i përmban ato elementet përmbajtësore të një akti juridik të miratuar dhe, rrjedhimisht, ky akt i Kuvendit ose ky mosvotim i këtij komisioni nuk ka pasoja juridike, të cilat veç se duhet të ketë një akt juridik, dhe në këtë situatë është e paqartë çfarë duhet të shfuqizojë Gjykata Kushtetuese, përderisa vendimi në fjalë nuk është miratuar dhe nuk ka krijuar asnjë pasojë juridike”, ka thënë ndër të tjera ai.