Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kosovës kanë shënuar një përkeqësim kohët e fundit, kështu duke filluar nga presioni i SHBA-së për implementimin e Asocacionit të Komunave Serbe, e cila sipas tyre do të sillte një decentralizim të pushtetit e deri tek zgjedhjet e parakohshme që u zhvilluan në katër komunat e Mitrovicës së Veriut shënuan pjesëmarrjen e vetëm 13 serbëve në këtë proces.
Edhe pse një rezultat në dukje i pritshëm, për shkak të bojkotit të shpallur nga Lista Serbe, ra në sy propagandimi në prag të zgjedhjeve të 23 prillit, nga politikanë dhe mediat serbe se në komunat e veriut të Kosovës mbizotëronte pasiguria dhe terrori.
Situata ndryshoi krejtësisht me zgjedhjen e kryetarëve të rinj shqiptar në komunat veriore, Mitrovicë e veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, ku pothuajse një muaj kishte tensione dhe protesta të dhunshme të serbëve lokalë.
Reagimi i ndërkombëtarëve:
Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në lidhje me tensionet e fundit në pjesën veriore të Kosovës, dënoi veprimet e palës kosovare.

“Dënojmë fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës që po përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin. I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të ndalojë menjëherë këto masa të dhunshme dhe të rifokusohet në dialogun e lehtësuar nga BE”, u shpreh Blinken në një postim në Twitter.
Edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, kishte thënë se SHBA dënon aksionin e ndërmarrë nga autoritetet kosovare.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë veprimet e vazhdueshme të autoriteteve kosovare për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës. Masat e sotme të dhunshme duhet të ndërpriten menjëherë”, shkroi Hovenier.
Bashkimi Evropian (BE) përmes një deklarate me shkrim gjithashtu ka “dënuar ashpër” përleshjet ku u përfshinë policia e Kosovës dhe protestuesit në veri të Kosovës.

Sipas deklaratës, përleshjet janë iniciuar nga tentativa e kryetarëve të sapozgjedhur të komunave për të hyrë në ndërtesat komunale.
“Ne dënojmë fuqishëm sulmet ndaj patrullave të misionit civil të BE-së në Kosovë, EULEX. EULEX-it duhet t’i lejohet të zbatojë mandatin e tij në mënyrë paqësore. Të gjithë duhet të ndërmarrin veprime për të de-eskaluar situatën e tensionuar dhe për të rivendosur qetësinë menjëherë”, thuhet në deklaratë.
Gjithashtu, në deklaratën me shkrim thuhet se BE-ja nuk do të pranojë asnjë veprim të mëtejshëm të njëanshëm ose provokues, duke theksuar se duhet t’i jepet prioritet ruajtjes së paqes dhe sigurisë në terren.
“Siç ka deklaruar vazhdimisht BE-ja, zgjedhjet e fundit të pjesshme në veri të Kosovës nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë për komunat e përfshira. Një zgjidhje e tillë mund të gjendet vetëm përmes një dialogu real ndërmjet të gjitha palëve kyçe të përfshira, që përfshijnë Kosovën, Serbinë dhe komunitetin serb të Kosovës, nën lehtësimin e BE-së”, thuhet në deklaratë.
“Ne dënojmë vendimin e Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, pavarësisht thirrjes sonë për përmbajtje. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës që menjëherë të tërhiqen, të shmangin përshkallëzimin dhe të koordinohen ngushtë me EULEX-in dhe KFOR-in”, thuhej edhe në deklaratën e shteteve të QUINT-it.

Kjo nuk mjaftoi, kidnapimi i tre zyrtarë policorë nga ana e Policisë së Serbisë në brezin kufitar në veri ishte një ndër ngjarjet më kryesore të javës që kaloi.
Tre zyrtarë policiorë të Policisë së Kosovës u kidnapuan nga Policia e Serbisë në pikën kufitare në veri të vendit.

Për kidnapimin e policëve reaguan institucionet e Kosovës të cilët thanë se Serbia është futur në territorin e Kosovës dhe ka kidnpuar tre policët.Kryeministri, Albin Kurti e udhëheqësit e tjerë të vendit, kërkuan lirimin e menjëherëshëm të tre policëve.
Ndërkohë, të njëjtën gjë e kërkuan edhe ndërkombëtarët.
Gjendja e tensionuar në veri të Kosovës, tashmë ka prekur edhe pikat kufitare në mes të Kosvës dhe Serbisë. Pikat kufitare në Jarinjë, Merdare dhe Bërnjak janë bllokuar për shkak të protestave në Serbi.
Në lidhje me këtë çështje, ka njoftuar Ministria e Punëve të Brendshme, e cila ka njoftuar se pikat e tjera mbesin të qarkullueshme.
Situata në veri vazhdon të mbetet e tensionuar, pas arrestimit të disa serbëve që dyshohen për sulmet ndaj gazetarëve. Një gjë e tillë, i ka irrituar serbët në veri, të cilët kanë protestuar gjatë ditës. Por edhe serbët andej kufrit, pra në Serbi, tashmë kanë nisur protestën, gjë e cila ka bllokuar qarkullimin e autobusëve dhe kamionëve në tri pika kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
Siç shihet në tabelën e MPB-së, këto tri pika të kalimit kufitar mes Kosovës dhe Serbisë janë të mbyllura. Pikëkalimi kufitar në Bërnjak është i bllokuar, ndërsa ato në Jarinje dhe Merdarë janë të bllokuara për kalimin e kamionëve dhe autobusëve. /GazetaBlic/



