Lajme

Koha kur Albin Kurti thoshte se KFOR-i dëshiron ta mbajë kufirin me Serbinë si administrativ dhe s’e nuk e mbron Pavarësinë

10/07/2021 18:07
nga:M K

Numri dy i Qeverisë Kurti, Besnik Bislimi, pas dy ditë negociatash në Bruksel me përfaqësuesin e Serbisë, Petar Petkoviq, përmes ndërmjetësmit të Miroslav Lajçak, ishte pajtuar për një marrëveshje në të cilën një prej pikave konstatonte së në vend të Njësisë Speciale të Kosovës do të vendoseshin trupat e KFOR-it, e të cilët do të qëndrojnë në Jarinjë dhe Bërnjak për dy javë, derisa situata të qetësohet.

KFOR-i, siç ka njoftuar edhe vetë zyrtarisht, në këto dy zona në veri është vendosur në pajtim me Rezolutën 1244. Për një gjë të tillë në drejtim të Qeverisë Kurti janë drejtuar kritika të shumta.

Ish-kryenegociatorja, Edita Tahiri, ka thënë se Qeveria Kurti këto dy pika kufitare nga pavarësia i ka kthyer nën protektorat.

Por çfarë kishte thënë Kurti në vitin 2011 për praninë e KFOR-it në veri. Në një diskutim në Kuvendin e Kosovës gjatë kohës sa Hashim Thaçi ishte kryeministër i vendit, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, kishte deklaruar se pavarësinë e Kosovës duhet mbrojtur vetë meqë KFOR-i zbaton Rezolutën 1244 dhe është i interesuar ta mirëmbajë kufirin me Serbinë si kufi administrativ.

“KFOR-i po e zbaton Rezolutën 1244 dhe a e dini pse KFOR-I është tash në pikat 1 dhe 31?-Sepse është i interesuar ta mirëmbajë kufirin me Serbi si kufi administrativ. KFOR-i po e mbron Rezolutën 1244. Ne duhet ta mbrojmë pavarësinë, nuk e mbron KFOR-i pavarësinë. Dhe kufiri me Serbinë, bëhet kufi ndërshtetëror, jo me KFOR-in atje por me policinë e Kosovës, me njësitë Speciale të Policisë së Kosovës dhe me doganat e Republikës së Kosovës”, kishte thënë Albin Kurti.

Përkeqësimi i situatës në veri të vendit dhe ngritja e barrikadave nga serbët lokalë kishte ardhur pas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e vendimit për targat.

Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës të cilët ishin vendosur në veri kanë qëndruar në atë pjesë për gati dy jave.

Nga atje janë zhvendosur vetëm pas arritjes së një marrëveshje në Bruksel, në të cilën thuhej se pas vendosjes së trupave të KFOR-it, Policia Speciale dhe barrikadat do të largoheshin paralelisht