Ronald Koeman ka vlerësuar ndikimin e Philippe Coutinhos jashtë stolit të Barcelonës në fitoren 3-1 kundër Valencia të dielën, duke deklaruar se ai “ka besuar gjithmonë” në aftësitë e lojtarit dhe duke sugjeruar se mesfushori mund të fitojë një rol më të madh në ekip me përmirësim fizik.
Reprezentuesi brazilian u inkuadra në minutën e 59-të të takimit, për të shënuar golin e tretë në minutën e 85-të dhe për t’i sjellur tri pikët Barcelonës.
Ai shënoi golin e parë të nivelit të lartë që nga fundi i vitit 2020, duke qenë jashtë fushe për pjesën më të madhe të ndeshjeve të fundit, por tani menaxheri i tij ka qenë i shpejtë për ta lavdëruar atë.
“Ishte mirë,” u tha Koeman gazetarëve në konferencën e tij për shtyp pas ndeshjes kur u pyet për performancën dhe ndikimin e Coutinhos pas prezantimit të tij në ndeshje.
“Kur ai hyri në lojë ai ishte i mirë. Me lirinë e tij ne ishim në gjendje ta kontrollonim lojën më mirë. Ai di të shënojë gola.
“Ai ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm sepse unë gjithmonë kam besuar në Coutinho. Fizikisht, ai po bëhet gjithnjë e më i mirë.
Holandezi iu drejtua edhe golit të dytë të skuadrës së tij, të fituar nga një penallti e Memphis Depay pasi Ansu Fati u konsiderua i faulluar teksa godiste portën.
“Ju mund të dyshoni nëse është një penallti apo jo,” shtoi ai. “Arbitri ka fishkëllyer, VAR nuk ka hyrë dhe, prandaj, është një penallti.”
Fati bëri një fillim të shumëpritur pas një pushimi të gjatë të lëndimeve, ndërsa kishte edhe minuta debutuese për Sergio Aguero nga stoli vonë, me Koeman duke shtuar: “Është i njëjti rast si Ansu.
“Ai është një lojtar i rëndësishëm për cilësinë dhe përvojën e tij. Ne duam t’i japim atij minuta dhe ai do të jetë fizikisht më i mirë për të ndihmuar ekipin. Nuk është një çështje cilësie, por një çështje fitnesi.”
Barcelona me këtë fitore tani poziconohet në pozitën e shtatë në tabelë me 15 pikë të mbledhura, gjersa kanë një ndeshje më pak të zhvilluar se disa prej skuadrave tjera.
‘Blaugrana’ pret Dynamo Kyiv në mesjavë – para se të kthehen për t’u përgatitur për një ndeshje të shumëpritur të ‘El Clasico’ me Real Madrid të dielën.


