Skena të trishta ndodhën të dielën, në afërsi të Camp Nou, kur Ronald Koeman po largohej me makinë i shoqëruar nga gruaja e tij për në shtëpi.
Barcelona kishte humbur 1-2 në derbin kundër Real Madridit dhe dhjetëra njerëz rrethuan makinën e tyre, duke e goditur, duke e tundur dhe duke fyer, përcjell GazetaBlic Sport.
Në pritje të ndeshjes së xhiros së 11-të, këtë të mërkurë kundër Rayo Vallecano-s, trajneri e ka trajtuar këtë çështje, pasi ka deklaruar se gruaja e tij ka qenë e frikësuar.
“Është një problem social, nuk mendoj se ka zgjidhje për atë që ndodhi kur u largova. Ata janë njerëz me probleme arsimore, nuk dinë çfarë janë rregullat dhe vlerat. Mjedisi brenda stadiumit kishte qenë i kundërt, edhe kur ne po humbnim 0-2. Nuk dua të kaloj shumë kohë me këta njerëz, nuk kam qenë vetëm unë, të njëjtën gjë kanë kaluar edhe lojtarët që kanë dalë me familjet e tyre. Ndoshta u ekzagjerua më shumë duke më vënë mua fajin, por edhe me Puyolin ndodhi, nuk e prisja këtë. Mund të na duhet të gjejmë një rrugëdalje nga stadiumi pa ndodhur kjo. Unë nuk kisha frikë. Është një problem social që ekziston në të gjithë botën”, ka komentuar ai.
/GazetaBlic Sport


