Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka paralajmëruar dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të Ligjit të Pagave pas publikimit të koeficientit prej 105 euro.
Deputetja e kësaj partie Albana Bytyqi tha për Gazeta Blic se koeficienti prej 105 është teper i ultë dhe se bie ndesh me pagën minimale.
Ajo potencoi se si Grup Parlamentar do të pergatiten ta dërgojnë në Kushtetuese.
“Ne si Grup Parlamentar kemi kërku që të jetë 129 koeficineti. Koeficienti 105 bie ndesh me pagën minimale. Ne si Grup Parlamentar do të përgatitemi për ta dërguar në Gjykatën kushtetuese Ligjin e Pagave” tha Bytyqi për “Gazeta Blic”
Ndërsa nga LDK koeficientin e Ligjit të Pagave po e cilësojnë hajgare për qytetarët.
“Kjo është me ba hajgare me qytetarët siç kanë bërë me shumë gjëra të tjera. Rroga nuk rritet me 105 euro” tha shkurt deputeja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi për “Gazeta Blic.
Qeveria e Kosovës ka njoftuar se koeficienti i Ligjit të Pagave për këtë vit do të jetë 105 ndërsa për vitin tjetër 110.
Kjo shumë do të shumëzohet me nivelin e koeficientit – që varion nga 2 deri në 18 – dhe prodhon vlerën e pagës.
Me Ligjin për Paga parashihet që Presidentja e Kosovës ta ketë pagën më të madhe në vend, me koeficient 18.
Pas saj radhitet Kryetari i Gjykatës Kushtetuese me koeficient 17.5.
Paga e kryeministrit është paraparë ta ketë koeficientin e njëjtë me atë të Kryetarit të Kuvendit, Kryetarit të Gjykatës Supreme dhe Kryeprokurorit të shtetit, me koeficient 17.
Shefi dhe zëvendësshefi i Stafit në Presidencë do ta ketë koeficientin 13. Shefi i Stafit në Zyre të Kryeministrit dhe Kuvendin e Kosovës me koeficient 12.5.
Këshilltarët politik me koeficient mbi 10.
Pozita e Komandantit të FSK-së është parapa të paguhet me koeficient 15, ndërsa koeficientin 15.5 do ta ketë pozita e Drejtorit të Policisë së Kosovës.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganës pritet ta ketë koeficientin 14.5. Ndërsa në Shërbimin Korrektues të Kosovës, udhëheqësi i pavionit është parapa ta ketë koeficientin 7.3.
Rektori do ta ketë koeficientin 14.2, dekani 12.8 dhe profesori i rregullt 12.4.
Drejtori i Shkollës së Mesme të lartë 6.4 dhe mësimdhënës në Shkollën e Mesme të Lartë 5.8.
Mësimdhënësi në Shkollë fillore dhe të Mesme të Ulët 5.6, Mësimdhënësi në institucionet parashkollore 5.2 dhe edukatorët 5.
Pozita e Drejtuesit në Shëndetësi është 12.4, Mjek specialist 12, Mjek në Specializim 8, Mjek i përgjithshëm, Stomatolog, Farmacist 7.4, Laborant, Infermier, Mami, Teknik mjekësor, Teknik farmacist, 5.6.
Ambasadori do ta ketë koeficientin 10.
Kryetari i kryeqytetit do ta ketë koeficientin 15, ndërsa kryetarët e komunave do ta kenë koeficientin në bazë të numrit të banorëve që ka komuna.
Për shembull komuna që ka mbi 100 mijë banorë, kryetari i saj do ta ketë koeficientin 13.
/Gazeta Blic/
Caktohet vlera e koeficientit të pagave, 105 për këtë vit e 110 për vitin tjetër