Besim Kodra, nga Shoqata për Mbrojtjen e Pacientëve në Kosovë, ka theksuar se mungesa e raportimeve për numrin e stendave të vendosura dhe operacioneve të kryera në kujdesin privat është një nga problemet kryesore në sistemin shëndetësor.
Ai në Debat Plus, ka theksuar se edhe Avokati i Popullit ka vërtetuar këtë mangësi në vitin 2020.
Kodra ka deklaruar se nuk janë ofruar të dhëna për trajtimet në institucionet private, duke theksuar rëndësinë e një sistemi informativ shëndetësor që do të mundësonte mbledhjen e të dhënave për kujdesin shëndetësor publik dhe privat.
“Sa stenda janë vendosur në kujdesin privat nuk raportohet sa operacione janë bërë nuk raportohet, këtë e ka vërtetuar edhe avokati i popullit në vitin 2020. Kur i kanë mbyll shërbimet shëndetësore në institucionet publike kemi pyetur se sa njerëz janë trajtuar në institucionet private dhe kanë kthyer përgjigje se nuk kanë numra për atë pjesë, dhe kjo është tejet problematike. Po e shohim kujdesin shëndetësor si të ndarë dhe në gjysmë, dhe një sistem informativ shëndetësor do të gjeneronte të dhëna edhe për kujdesin shëndetësor publik dhe atë privat. Nga këto të dhëna fillon ndryshimi i shëndetësisë”, ka deklaruar Kodra në Debat Plus.