Avokati Arianit Koci ka ftuar Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti që të reagojnë pas konstatimit zyrtar të Komisionit Evropian se Serbia ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2015, raporton GazetaBlic.
Ai ka theksuar se Serbia nuk ka të drejtë të arrestojë ish-pjesëtarë të UÇK-së për vepra të pretenduara të kryera në Kosovë, duke shtuar se arrestimet dhe ndjekjet penale ndaj shtetasve të Kosovës, pa kërkesë të institucioneve vendore, bien ndesh me obligimet e dialogut.
Koci ka bërë të ditur se aktualisht ndodhet në Serbi për rastin e arrestimit të Mit’hat Lozhanit dhe ka këshilluar ish-pjesëtarët e UÇK-së dhe të organeve të sigurisë së Kosovës të shmangin udhëtimin në Serbi.


