Lajme

Koci: 42 të arratisurit për sulmin në Banjskë janë në “Red Notice” të INTERPOL-it

09/25/2024 11:20
nga:Y I

Është shtyrë për 9 tetor seanca fillestare ndaj tre të akuzuarve të arrestuar për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit një vit më parë.

Shtyrja u vendos pasi avokatët e të akuzuarve Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq kërkuan më shumë kohë për të lexuar shkresën e lëndës dhe provat e Prokurorisë.

E pas përfundimit të seancës, Arianit Koci, avokati i familjes së policit të ndjerë Afrim Bunjaku, tha se ky është një gjykim kompleks me pasoja të rënda për vetë palët e dëmtuara.

Ai tha se kanë interes që sa më shpejt të kryhet ky proces.

“Jam përfaqësues i familjes së policit të ndjerë Afrim Bunjaku. Ne kemi interes që sa më shpejt të kryhet ky proces, për shkak se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar, por nuk guxojmë të bëjmë asnjë gabim procedural në mënyrë që Gjykata e Apelit mos ta kthen në rigjykim pra”, tha Koci.

Ai shtoi se sulmi që ka ndodhur në Banjskë, ka mundur të ketë pasoja të rënda për vetë rendin kushtetues të Kosovës.

“I kemi 42 persona që janë në arrati, lajmi i mirë është që janë në “Red Notice” të INTERPOL-it dhe asnjëri prej tyre nuk mund ta lëshoj Serbinë sepse mund të arrestohet menjëherë”, tha Koci.

Avokati tutje shtoi se mbrojtja e të akuzuarve i pati disa kërkesa rreth printimit të dokumenteve.

“Besoj që Prokuroria nuk ka bërë asnjë gabim në këtë rast. E ftoj Prokurorinë që sa më pak të deklarohet për këtë rast”, tha ai.

Sa i përket propozimit që të merret mendim nga Gjykata Supreme për gjykim në mungesë, Koci tha se presin që Supremja të jap një mendim pozitiv, por pavarësisht çfarëdo vendimi do ta respektojnë.

Me kërkesë të mbrojtjes së të akuzuarve, ndërpritet shqyrtimi fillestar në rastin “Banjska”