Lajme

“Kobra” del para gjykatës, dyshohet për vrasjen e të riut në Prizren

01/04/2023 11:04
nga:Genita C

Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra” së bashku me pesë personat e tjerë do të paraqiten në Gjykatën Themelore të Prizrenit sot në orën 10:30 për caktimin e masës së sigurisë.

Sipas raportimeve të fundit, seanca ndaj tij tashmë ka filluar.

Kujtojmë se, mëngjesin e së martës në Prizren, pas një përleshje të nisur në lokalin e natës “Kobra City”, nga të shtënat me armë zjarri një person mbeti i vrarë, kurse një tjetër është plagosur, të dy shtetas të Shqipërisë.Sipas prokurorisë konflikti, nisi lidhur me pagesën e faturës së shpenzimeve.

Për ngjarjen tragjike kanë dhënë detaje Policia, Prokuroria dhe avokati i të dyshuarit për vrasjen.Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala, ka thënë se dyshohet se ngjarja tragjike ka ndodhur pas një konflikti në lokalin ‘Kobra City’ me disa shtetas të Shqipërisë, lidhur me pagesën e faturës së shërbimeve.

“Në orën 04:10, policia ka marr informatë se ka pasur të shtëna në afërsi të lokalit ‘Kobra City’, në dalje të Prizrenit, rruga Prizren- Kukës. Dyshohet se ngjarja tragjike ka ndodhur pas një konflikti në lokalin ‘Kobra City’ me disa shtetas të Shqipërisë, lidhur me pagesën e faturës së shërbimeve”, ka thënë Shala.Ai ka thënë se në momentin që shtetasit V.C., R.Sh dhe A.B, po largoheshin me automjetin e tyre të markës ”Audi”, dyshohet së shtetasi D.H. (Dibran Hoxha), ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tyre.

“Si pasojë e të shtënave me armë zjarri 31-vjeçari me inicialet V. C., dhe R. Sh., 27 vjeç, të dy nga Kukësi janë plagosur, ku si pasoj e plagëve shtetasi V.C ka vdekur, ndërsa shtetasi R.SH. ka pësuar lëndime trupore dhe është jashtë rrezikut për jetë”, ka thënë ai.

Lajmi për rastin fillimisht është bërë i ditur nga Policia e Shtetit në Shqipëri.