Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate kanë nënshkruar sot koalicion parazgjedhor.
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, në konferencën për media, pasi nënshkroi koalicionin me Fatmir Limaj, tha se synojnë vendin e parë në zgjedhje dhe presin që edhe parti tjera t’iu bashkohen në këtë koalicion.
Lidhur me koalicionin AAK-Nisma, profesori Arben Fetoshi, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se bashkimi i dy partive nënkupton kalkulimin e rritjes elektorale.
“Koalicioni AAK-Nisma është përpjekje e kuptueshme e dy subjekteve të tkurrura për një hapësirë sa më të madhe në skenën politike të vendit. Bazuar në proveniencën e dy liderëve, bashkimi i tyre nënkupton kalkulimin e rritjes elektorale duke pasur parasysh kompaktësinë e votuesve të lidhur me vlerat e luftës”, shprehet ai.
Fetoshi vlerëson se shpallja e koalicionit tani lidhet me afrimin e zgjedhjeve, derisa shton se si të vetmet, këto parti s’do të mund t’i kthenin apo ruanin votuesit e vitit 2021.
“Shpallja e koalicionit tani lidhet me afrimin e zgjedhjeve dhe kohën e nevojshme për të prodhuar një ofertë serioze politike. Ndryshimeve që kanë pasuar zgjedhjet e vitit 2021 në skenën politike nuk i kanë prekur këto të dyja, prandaj si të vetme s’do të mund t’i kthenin apo t’i ruanin votuesit e tyre”, thekson profesori për Gazeta Blic.
Sa i përket deklaratës së Haradinajt se i presin dhe partitë tjera në koalicion, ai thotë se oferta duket se i drejtohet PDK-së, por që sipas tij do të ishte autogol” një PAN tjetër si ofertë për qytetarët.
“Oferta e tyre e hapur për të tjerët duket se i drejtohet në radhë të parë PDK-së, por mendoj se do të ishte “autogol” një PAN tjetër si ofertë për qytetarët”, deklaron Arben Fetoshi.
Ndërsa, analisti politik Gazmir Raci, koalicionin AAK-Nisma e sheh si koalicion të pragut.
Ai vlerëson se sondazhi i fundit që nxori VV-në të parën, i ka alarmuar partitë për të bërë garë për vend të dytë dhe tretë, teksa shton se është mirë që partitë të grumbullohen bashkë.
“Sondazhi i fundit që e nxori përsëri fitues të pakontestuar LVV, i ka alarmuar partitë politike opozitare për të bërë “garë” për vendin e dytë dhe tretë. Është mirë që partitë po grumbullohen e po shkohet drejt skenës me më pak parti politike, pasi dikur ishim kampion për numër të madh të tyre. Koha edhe për profilizim të qartë ideologjik”, thotë Raci./Gazeta Blic/
Pas koalicionit me Nismën, Haradinaj paralajmëron zgjerim edhe me parti tjera
AAK dhe Nisma nënshkruajnë koalicion parazgjedhor


