Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 2 komuna në rundin e parë të zgjedhjeve lokale më 12 tetor, ndërsa që është në balotazh edhe ne pesë të tjera, në rundin e dytë që do të mbahet më 9 nëntor.
E, AAK ka arritur marrëveshje koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje në disa komuna, si në Prizren, Fushë Kosovë, dhe ka marrë ofertë nga VV në Pejë.
Lidhur me këto, për Gazeta Blic ka folur ish deputeti i kësaj partie, Shemsedin Dreshaj.
Ai thotë se niveli qendror dhe lokal duhet të ndahen mes vete dhe se koalicionet në nivel lokal nuk nënkuptojnë përafrim të strukturave në nivel qendror të partive.
“Mendoj që dy sende duhet të ndahen njëra prej tjetrës, duhet të ndahet koncepti i ballotazheve, gjegjësisht i bashkëveprimit në nivelin lokal dhe në nivelin qendror. Në nivelin qendror janë politikat globale të zhvillimit të vendit, ndërsa në nivelin lokal kryesisht janë politikat lokale për mirëqenien e banorëve të atij komuniteti apo të atij vendbanimi. Aleanca në konceptin e vet, si e kemi mbajtur në mbledhjen e fundit të kryesisë, ne e kemi lënë të lirë që subjektet të vendosin vetë në raport me pushtetin lokal, pra kush me kënd do të bëhet. Partneritetet në pushtetin lokal nuk nënkuptojnë me automatizëm një përafërim të strukturave qendrore të partisë. Ne si subjekt politik, parapëlqejmë konceptin e djathtë, por nuk do të thotë që në nivelin lokal kjo duhet të respektohet obligativisht”, ka thënë ai.
Lidhur me komunat që janë në balotazh, Dreshaj ka thënë se presin t’i fitojnë komunat që i kanë qeverisur deri më tani dhe presin fitore edhe në Junik, ndërsa në komunat që nuk janë në balotazh thekson se AAK do të ketë rol të rëndësishëm.
“Aleanca në parim pret fitoren në të gjitha komunat që i kemi menaxhuar deri më sot dhe ne i kemi edhe nga dy tri komuna të tjera ku mund të pozicionohemi shumë mirë. Presim që ta fitojmë edhe Junikun, pra edhe të komunën e gjashtë në nivel të vendit dhe ndërsa në komuna të tjera do të kemi pozicione shumë më të favorshme pas ripozicionimit. Realisht, pushteti komunal ka mund me dalë edhe më mirë. Mendoj rezultatet në zgjedhjet komunale kanë mund të jenë edhe më të mira për Aleancën dhe kemi pritur rezultate, por sido që të jetë kjo është vota e qytetarit dhe qytetari e ka vlerësuar këtë. Mendoj se në pushtetin lokal Aleanca do t’i mbajë komunat e veta, eventualisht do ta fitojë edhe Junikun, ndërsa në komuna të tjera Aleanca do të ketë një rol shumë të rëndësishëm në drejtim të menaxhimit, duke mos qenë e para”, ka deklaruar Shemsedin Dreshaj./Gazeta Blic/


