Lajme

Knut Abraham i jep mbështetje letrës së deputetëve evropianë e amerikanë

1 vitë më parë
nga:N M

Edhe deputeti gjerman Knut Abraham nga radhët e CDU/CSU i ka dhënë mbështetje letrës së përbashkët të mbi 50 deputetëve evropianë e amerikanë pro Kosovës.

“Kjo letër e hapur e ka mbështetjen time të plotë. Një nismë shumë e mirë dhe në kohën e duhur”, ka shkruar në rrjetin social “X” (ish-Twitter), deputeti i Bundestagut, i cili e ka shpërndarë postimin e deputetes britanike Alicia Kearns.

Në fakt, përmes një letre drejtuar Sekretarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken, Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly, mbi 50 deputetë, në mesin e tyre edhe senator e kongresistë amerikanë, 10 kryetarë të komisioneve parlamentare të politikave të jashtme të 16 shteteve, përfshirë edhe Ukrainën, kanë shprehur mbështetjen e tyre për Kosovën dhe kanë bërë thirrje për qasje më të ashpër ndaj Serbisë si dhe kanë paralajmëruar për rrezikun që paraqesin veprimet e saj për sigurinë në Ballkanin Perëndimor.