Lajme

KMDLNj reagon për suspendimin e policëve: U bë sipas standardeve të dyfishta

01/14/2025 15:02
nga:Sh R

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar sot lidhur me suspendimin e para disa të ditëve të policëve që u raportua se kanë marr pjesë në fushatë zgjedhore. KMDLNj këtë e quan si suspendim nga puna sipas standardeve të dyfishta.

Reagimi i Këshillit:

Polici hetues për raste të korrupsionit të profilit të lartë, Idriz Gashi, pasi shërbeu mbi 20 vjet në Policinë e Kosovës u suspendua nga puna me arsyetim se paska marrë pjesë në tubim të një partie politike. Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka urdhëruar që policët e Kosovës të mos marrin pjesë në asnjë tubim apo fushatë zgjedhore të asnjë subjekti politik sikur që me asnjë paraqitje publike apo përmes rrjeteve sociale të identifikohem me një parti apo përcaktim politik. Sipas KMDLNj – së kjo urdhëresë është e drejtë dhe e domosdoshme për ta mbrojtur paansinë e Policisë së Kosovës nga çdo ndikim partiak, politik apo grupeve të interesit për faktin se Policia është në mbrojtje të rendit dhe ligjit që janë në interes të gjithë qytetarëve të Kosovës pavarësisht përkatësisë etnike, politike, moshës, gjinisë, racore, kulturore apo statusit në shoqëri.

Në ndërkohë polici Idriz Gashi është kthyer në punë, i është kthyer arma zyrtare si dhe distinkti identifikues që, sipas KMDLNj- së ishte veprim i drejtë bazuar në fotot ku nuk vërtetohet prania e policit Gashi në një tubim partiak pasi avokati dhe vet polici kishin kundërshtuar vendimin për suspendim. Për çudi të opinionit por jo edhe të KMDLNj – së, pas përfundimit të orarit të punës, policit Gashi i ishte dorëzuar një tjetër vendim pêr suspendim nga puna, pa të drejtë kundërshtimi deri në një afat të pacaktuar. Nga praktika e KMDLNj – së ka raste të ngjashme me rastin e policit Gashi ku palët e suspenduara janë detyruar të kalojnë një kohë të gjatë para gjykatave ku edhe e kanë fituar pafajësonë, janë kompensuar materialisht mirëpo në aspektin e dëmtimit të reputacionit personal dhe familjar kanë mbetur të pakompenzuar e që paraqet shkelje të rëndë të drejtave të njeriut dhe trajtim diskriminues. Punëdhënësi (institucioni) i eliminon punëtorë që vlerëson se i pengojnë apo për shkaqe politike ndonëse nuk kanë bazë ligjore. Atyre nuk iu bëhet vonë që e dëmtojnë buxhetin edhe në raste kur janë të sigurt se e humbin rastin.

Ka dëshmi se udhëheqës të ndërmarrjeve publike apo institucioneve të pavarura kanë marrë pjesë aktive në tubime politike dhe partiake e nuk kanë suspenduar nga puna. Kjo paraqet rast flagrant të zbatimit selektiv të standardeve disiplinore dhe ndëshkuese.

KMDLNj – ë edhe më parë ka kërkuar që të krijohet një mekanizëm institucional që do të krijonte kushte për kompensim moral dhe profesional të personave të suspenduar apo akuzuar e që e dëshmojnë pafajësinë.

KMDLNj – ë kërkon nga Inspektorati policor i Kosovës që të ruaj pavarësinë, paanësinë dhe profesionalizmin gjatë marrjes së vendimeve dhe t’i mos nënshtrohen asnjë presioni politik apo grupeve të interesit.

Rastin e policit Gashi KMDLNj – ë e trajton ekskluzivisht nga aspekti i të drejtave të njeriut duke theksuar se këto të drejta janë shkelur gjatë risuspendimit dhe mohimit të drejtës për kundërshtim.