Sporti

Klubi i Serie A tenton Benitez, marrëveshja varet nga West Ham

01/16/2023 18:46
nga:E K

Salernitana pësoi një humbje dërrmuese në Bergamo. Atalanta u zbavit dhe siguroi tri pikë të rëndësishme për objektivin Champions pas suksesit 8-2.

Drejtuesit e Salernitanës nuk humbën kohë dhe shkarkuan trajnerin Davide Nicola, i cili vjet realizoi një “kryevepër” duke mbajtur skuadrën në Serie A.

Tashmë i përket së kaluarës, ndërkohë që Salernitana po tenton Rafa Benitez për stolin, një trajner fitues dhe plot eksperiencë.

Spanjolli ka drejtuar më parë Interin e Napolin në Serie A, ai qëndron pushim prej janarit të vitit të kaluar kur i dha fund eksperiencës tek Evertoni.

Salernitana ka nisur bisedimet me të, por akordi është një mision shumë i vështirë për shkak të…West Ham.

Drejtuesit e klubit londinez e shohin si pasardhësin perfekt të David Moyes, i cili është shumë afër shkarkimit.

Benitez po bisedon njëkohësisht edhe me drejtuesit e West Ham, të cilët janë në dilema nëse duhet të shkarkojnë apo jo skocezin Moyes.