Lajme

Tahiri: VV-ja bllokoi punën e komisionit për tekstet shkollore në kohën kur dolën në pah faktet për keqpërdorime

08/02/2024 13:46
nga:Sh R

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri ka kritikuar VV-në për bllokimin e punës së Komisioni Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024.

Në një konferencë për media, Tahiri ka thënë se bllokimi i këtij komisioni u bë posa dolën në pah fakte konkrete se pati “abuzime dhe keqpërdorime në procesin e subvencionimit të librave”.

Sikur të ishte nënshkruar kontrata e MAshT-it në atë kohë me shtëpitë botuese, sipas Tahirit, do shpenzoheshin 7 milionë euro më pak, kurse sipas tij tashmë kemi afro 12 milionë euro shpenzime në procesin e subvencionimit të librave.

“Në kohën kur ky komision arriti në fakte konkrete, abuzime e keqpërdorime, arriti me qit në pah kontratat që u deshën të nënshkruheshin me shtëpitë botuese e që nuk u nënshkrua nga qeveria e Kosovës, ku u shpenzuan afro 12 milionë euro në subvencionim. Sikur të nënshkruhej kontrata do të shpenzoheshin rreth 5 milionë euro, pra që i bie 7 milionë euro më pak humbje”, ka deklaruar Tahiri.

Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka pretenduar se hetimi parlamentar për subvencionimin e teksteve shkollore 2023/24 i ka kaluar mandati.

Këtë e ka kundërshtuar kryetari i komisionit, Shemsedin Dreshaj i cili ka deklaruar se afati i komisionit, të themeluar në prill, është deri më 16 nëntor.

E se LVV po e bën këtë qëllimshëm ka deklaruar edhe nënkryetari i komisionit, Ardian Kastrati.

“Arsyeja pse VV qëllimshëm po e bën këtë rrëmujë është për të bllokuar hetimin e aferës potenciale korruptive me kryeprotagoniste Arberie Nagavcin. Nga 4 milion të planifikuara për tekstet, këta kanë shpenzuar 11 milion. 7 milion më shumë të cilat nuk janë spjeguar qartë në komision, prandaj pas përfundimit të punës së komisionit në shtator, këtu unë besoj fort ka me pas punë Prokuroria Speciale. Kësaj pra, i frigohen këta të VV-së, hetimeve të Prokurorisë Speciale dhe kjo është arsyeja që shkaktojnë këto ditë rrëmuje me komisionin për ta spostuar vëmendjen nga hetimet për afera potenciale korruptive”, ka deklaruar Kastrati, nënkryetar i komisionit.