Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ambiciet e tij për Republikën e Kosovës dhe kombin shqiptar janë më të mëdha se ato të Washingtonit e Brukselit, dhe kjo thotë kryeministri është diçka normale dhe do të ishte e çuditshme të ishte e kundërta.
Kurti një intervistë në emisionin “Public Square” me Ditmir Bushatin, tha se nuk mund të pritet të ketë ardhmëri në një shtet, ku ambiciet e ndërkombëtarëve janë më të mëdha sesa ato të vetë kombit të atij shteti.
“Ambiciet e mia për Republikën e Kosovës dhe kombin shqiptar janë më të mëdha se ato të Washingtonit e Brukselit, dhe unë besoj se kjo është normale. Paramendoni sikur të ishte ndryshe. Çfarë ardhmërie mund të presim ne për shtetin e kombin tonë mbarë, nëse ndërkombëtarët i kanë ambiciet më të mëdha për neve, sesa ne për kombin tonë? Ne gjithmonë duhet të kemi ambicie më të larta për kombin tonë, sesa ato që kanë partnerët tanë, aleatët e miqtë tanë që sigurisht se janë të paçmueshëm e të pazëvendësueshëm”, tha Kurti.
Në këtë intervistë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk pret që SHBA-të që ta shohin Beogradin me sytë e Albin Kurtit. Kreu i ekzekutivit kosovar tha nuk pret nga Amerika ta shohë Serbinë sikurse e sheh Kosova, mirëpo sipas tij edhe pritjet e SHBA-së nuk duhet të jenë aq të larta.
“SHBA-të duhet të kujdesen për demokracitë në të gjithë planetin dhe unë e kuptoj që ata nuk kanë mjaftueshëm kohë dhe unë gjithashtu e kuptoj se kohë ka gjithnjë e më pak. Jo vetëm për ata, por edhe për të gjithë ne. Prandaj kur këtu shtohen edhe konsideratat gjeopolitike dhe strategjitë e caktuara, natyrisht mund të ketë nganjëherë edhe mospajtime më shumë në aspektin strategjik e taktik sesa parimor e vleror. Sido që të jetë unë një gjë ua kam bërë të qartë të gjithëve. As nuk pret nga SHBA që ta shohin Beogradin zyrtar me me sytë e Albin Kurtit, por as ata nuk duhet të presin që unë ta shoh Departamentin Amerikan me sytë e Beogradit. Unë kam qenë rob lufte, i burgosur politik, unë njoh dhjetëra njerëz që janë vrarë në luftë e i kam njohur të gjallë dhe e di historinë mbi mesataren e serbëve dhe shqiptarëve për raportet e kombit shqiptar në përgjithësi me shtetin serb në veçanti.
SHBA-të dhe Serbia kanë njohje të ndërsjellë. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë. SHBA-të janë dëshmitarë, jo viktimë. Ne jemi viktimë. Viktima dhe dëshmitari nuk janë e njëjta gjë. Prandaj unë besoj që Serbinë e njoh më mirë dhe nuk mund ta kem të njëjtin qëndrim dhe as ndjeshmëri sikurse Departamenti Amerikan i Shtetit.Raportet tona duhet të jenë si të aleatëve por qëndrimet tona nuk duhet të jenë të njëjta”, u shpreh Kurti.