Lajme

Klitschko: Rusia e do të gjithë Ukrainën, Kievi synimi kryesor, e qartë se po kryen gjenocid

05/26/2022 15:42
nga:Astrit Gashi

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, vlerësoi sot se Rusia planifikon të marrë nën kontroll të gjithë Ukrainën dhe se kryeqyteti është objektivi më i rëndësishëm.

“Është e qartë se Rusia nuk po kryen një operacion special në Ukrainë, por gjenocid”, tha Klitschko në një panel diskutimi në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, raporton CNN.

Ai paralajmëroi se Ukraina nuk po mbron vetëm sovranitetin e saj, por edhe sovranitetin e të gjitha vendeve që ndajnë të njëjtat vlera.

“Ne nuk po mbrojmë vetëm familjet tona, po ju mbrojmë të gjithëve”, tha ai.

Ai u bëri thirrje liderëve botërorë që të marrin “vendime të shpejta” për dërgimin e më shumë armëve mbrojtëse në Ukrainë, për të cilat, siç tha ai, vendi ka nevojë urgjente.