Lajme

Klinaku: Kadri Veseli kishte ardhur për të na bindur për Specialen, tha se ishte i akuzuar

12/16/2021 22:07
nga:M K

Ushtruesi i detyrës së kreut të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku ka treguar se Kadri Veseli ka kërkuar nga OVL UÇK-ja që mos ta kundërshtojë themelimin e Gjykatës Speciale.

Klinaku thotë se Veseli u ka bërë presion që ta pranojnë themelimin e Gjykatës Speciale.

Madje ai tha se Veseli u kishte thënë që ‘duhet të themelohet kjo gjykatë, ani pse mund të jem edhe unë i akuzuar’.

“Nëse ju kujtohet juve ne si organizatë e veteranëve e kemi kundërshtuar vazhdimisht themelimin e kësaj gjykate. Ne kemi pas takim edhe me Kadri Veselin, pati ardhur me na bo njëfarë lloj presioni pozitiv, që edhe ne të pajtohemi me themelimin e Gjykatës Speciale.

Ne kemi thënë se nuk pajtohemi dhe tekstualisht na ka thënë që i akuzuar jam edhe unë (Kadri Veseli). Na pati thënë ‘ne udhëheqja, përfshirë edhe unë mund të jem i akuzuar, por duhet ta themelojmë’”, tha Klinaku në T7.