Kuvendi i Kosovës do të mblidhet të mërkurën në orën 12:00 për të shqyrtuar pika të papërfunduara nga tri seanca të kaluara, por vlera e koeficientit prej 105 eurove të caktuar nga Qeveria, vazhdon të jetë një ndër shqetësimet kryesore të opozitës.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa tha në një prononcim për GazetaBlic se, caktimi i kësaj vlere ishte “paushall” dhe sipas tij Qeveria nuk ka bërë një analizë të mirëfilltë, duke përfshirë këtu krizën ekonomike.
“Ne si PDK konsiderojmë se vlera e koeficientit është shumë e ulët, nëse e krahasojmë me inflacionin dhe me çmimet që janë rritur në Kosovë. Qeveria nuk ka bërë një analizë, por ka bërë një koeficient “paushall”, tha Beqa.
Beqa thotë se në seancën e nesërme, PDK-ja do të propozojë që të ndryshohet kjo vlerë e koeficientit dhe të bëhet 120 euro.
“Unë nuk mund të them se si do të veprojmë nesër në seancë, por propozimet tonë konkret do ta flasim përsëri në seancën e Kuvendit. Ne do të propozojmë që të votohet vlera e koeficientit me propozimin e Partisë Demokratike të Kosovës”, tha Beqa.
Mirëpo nëse ky propozim i PDK-së nuk merret parasysh nga Qeveria, Beqa thotë se nuk kemi diskutuar nëse përsëri do të bojktojnë seancën.
“Nuk kemi diskutuar për bojkot apo për çështje tjera, megjithatë do t’i çojmë të gjitha rrugët demokratike që koeficienti të jetë sipas propozimit tonë, sepse konsiderojmë që është i pamjaftueshëm dhe nuk i mbulon kostot e nevojave të zyrtarëve publik”, tha Beqa për GazetaBlic.
Ndërsa anëtari i AAK-së, Lulzim Blaka në një përgjigje të shkrut për GazetaBlic, tha se AAK-ja do të veprojë sipas situatës, kështu duke mos përjashtuar bojkotimin e seancës.
“Do të presim vazhdimin e seancës, dhe do të veprojmë sipas situatës”, tha Blaka.
Kujtojmë se, para një jave Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës kanë kritikuar Qeverinë Kurti për caktimin e vlerës së koeficientit të pagave në 105 euro. Deputetë të Lidhjes Demokratike, Partisë Demokratike dhe Aleancës për Ardhmërinë e kanë lëshuar seancën e Kuvendit.
Seancën e lëshuan edhe deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Kjo Qeveri që glorifikon krimin, që mbron korrupsionin e Martin Berishajt, që rrit tatimin ndaj qytetarëve dhe nuk merr asnjë masë që lehtëson jetën e qytetarëve të Kosovës, nuk mund të presësh që të ketë zgjidhje për punëtoritë e sektorit publik”, u shpreh shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi.
/GazetaBlic/


