Frashër Krasniqi nga PSD-ja, për takimin e sotëm të kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq në Bruksel, ka thënë se duhet të diskutohet se çfarë Asociacioni do të bëhet sepse sipas tij, një i tillë është duke u bërë.
“Aq i degraduar është pozicioni i Kosovës në këto negocione sa që Asociacioni i 2015-ës dhe i 2013-ës është minimum që do të jetë, pra pika fillestare ku do të niset ai Asociacion dhe pritet që të ketë kompetenca plus”, ka thënë tutje Krasniqi në Dukagjin.
Krasniqi konsideron problem faktin që diskutimet për drafin e statutit kanë filluar duke pretenduar se nuk do të realizohen.
Anëtari i PSD-së ka shtuar se çfarëdo që tashmë thonë kryeministri, presidentja dhe kryeparlamentarja lidhur me këtë statut është ‘vazhdim i filmave që i nisën me kushte dhe do t’i përfundojnë me Asociacion’, duke theksuar faktin se ky proces ka filluar pa u zbatuar 6 kushtet që ishin për Serbinë.


