Njohësi i çështjeve politike Arben Fetoshi, në një prononcim për Gazeta Blic, ka thënë se zgjidhja më e lehtë për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme është dorëheqja e kryetarëve të komunave veriore.
“Krahas përmbushjes së pikave të tjera, zgjidhja më e lehtë për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme është dorëheqja e kryetarëve të këtyre komunave, në mënyrë që të mos ketë zvarritje të panevojshme”, tha Fetoshi.
Gjithashtu Fetoshi për zgjedhjet e parakohshme thotë se është shumë e rëndësishme që të punohet edhe për sigurimin e pjesëmarrësve serbë.
“Ndërkaq, lidhur me zgjedhjet e parakohshme, është po ashtu e rëndësishme që të punohet për sigurimin e pjesëmarrjes së serbëve, prandaj zgjidhja më e mirë gjithmonë është koordinimi dhe bashkërendimi me aleatët perëndimorë”, tha ai.
Tutje Fetoshi thotë se pas kërkesave të BE-së, qeveria po vijon me zbatimin e dakordimit të Bratisllavës duke i hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme në komunat në veri të vendit.
“BE-ja ka kërkuar hapa të mëtejshëm dhe qeveria po vijon me zbatimin e dakordimit të Bratisllavës, duke i hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat veriore”, u shpreh ai.
Sipas Fetoshit, për Kosovën është e rëndësishme të kemi një dinamikë më të shpejtë në zbatimin e Marrëveshjës së Ohrit, gjë e cila sipas tij mund të bëhet vetëm përmes hapave të deeskalimit.
“Për Kosovën është e rëndësishme një dinamikë më e shpejtë e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, gjë që mund të imponohet vetëm përmes hapave të deeskalimit, siç është kërkuar nga Shtetet e Bashkuara”, shtoi ai.
Fetoshi shtoi se Kosova në raport me Serbinë duhet të jetë më strategjike kurse në raport me partnerët strategjikë duhet ti përmbushë detyrat.
“Kosova duhet t’i përmbushë detyrat në raport me partnerët strategjikë, ndërsa në raport me Serbinë duhet të jemi më strategjikë, në mënyrë që të merren ata”, tha ai për Gazeta Blic.


