Lajme

Kurti mirëpret miratimin në Kuvend për Gjykatën Komerciale

01/21/2022 14:39
nga:Genita C

Kryeministri Albin Kurti e ka mirëpritur vendimin e Kuvendit të Kosovës për hapjen e rrugës për krijimin e Gjykatës Komerciale në Kosovë.

Sipas Kurtit vetëm për tri vite, në Departamentin për Çështje Ekonomike janë hapur 2260 konteste në mes të bizneseve, nga të cilat sipas Kurtit 15 raste kanë vlerë mbi 1 milion euro.

“Shumë gjatë sektori privat është ballafaquar me sfida që kanë frenuar bizneset e tyre për shkak të mungesës së efikasitetit gjyqësor, procedurave të stërzgjatura për zgjidhjen e rasteve, ekspertizave profesionalisht jo të kënaqshme apo numrit të vogël të gjyqtarëve. Vetëm për tri vite (2018, 2019 dhe 2020), në Departamentin për Çështje Ekonomike janë hapur 2260 konteste mes bizneseve, nga të cilat 15 raste kanë vlerë mbi 1 milion euro secila”, ka shkruar Kurti në një postim në “Facebook”.

Më tutje, kryeministri deklaroi se Ligji për Gjykatën Komerciale krijon mundësi të mjaftueshme për rritjen e efikasitetit në zgjidhjen e kontesteve tregtare.

“Ligji për Gjykatën Komerciale krijon mundësi të mjaftueshme për rritjen e efikasitetit në zgjidhjen e kontesteve tregtare, me qëllim që të drejtat e bizneseve të fituara nga zgjidhja e mosmarrëveshjeve tregtare dhe administrative të realizohen pa vonesa, duke lehtësuar kësisoj shfrytëzimin e kapitalit. Ligji siguron lirinë e sipërmarrjes, barazinë e palëve, të drejtën e pronës dhe zbatimin e kontratave, në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e vendit. Po ashtu, ndërton besimin e investitorëve, duke përfshirë mërgatën tonë, dhe i hap rrugë zhvillimit të qëndrueshëm dhe mirëqenies së qytetarëve të Republikës”, ka shkruar më tutje ai.

Tutje ai thotë se numri i gjyqtarëve do të rritet konsiderueshëm, nga vetëm 5 sa kanë qenë deri tash.

“Mbi 3.000 raste qysh në fillim do të jenë subjekt shqyrtimi i kësaj Gjykate, që do të ketë juridiksion edhe për rastet përmbarimore, duke zgjidhur afërsisht 500 raste të kësaj natyre në vit”, thuhet tutje.