Lajme

Kurti në Shtime premton ndërtimin e Kompleksit Memorial të Masakrës së Reçakut

01/19/2025 19:27
nga:G C

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur takim elektoral në Shtime.

Atje kryeministri Albin Kurti dhe i mandatuari edhe për një mandate nga Lëvizja Vetëvendosje, duke folur për projektet që kanë investuar gjatë 4 vjetëve ka premtuar investime të reja në mandatin e ardhshëm.

Reklamë
Ndërtimi i Kompleksit Memorial të Masakrës së Reçakut, vazhdimi i autostradës Duhël–Shtime–Banullë, kanë qenë ndër projektet që i ka premtuar Kurti.

“Në mandatin e ardhshëm, kemi ende shumë punë përpara. Ndër projektet kryesore janë: Ndërtimi i Kompleksit Memorial të Masakrës së Reçakut, i dyti pas atij të Epopesë në Prekaz. Vazhdimi i autostradës Duhël–Shtime–Banullë, me gjatësi 31 km. Ndërtimi i Qendrës së Mjekësisë Familjare, me vlerë 3 milionë euro. Ndërtimi i Entit Special të Shtimes, investim prej 6 milionë eurosh. Rinovimi i Parkut Teknologjik dhe ndërtimi i nënstacionit të transmisionit 110 kV për furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike”, tha Kryeministri Kurti.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, theksoi se mandati i Qeverisë Kurti 3 do të jetë mandati ku do të realizohen të gjitha reformat e nisura në Drejtësi.

“Byroja për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, që na u bllokua për 17 muaj, do të bëhet shpejt realitet. Kosova do të jetë shtet i së drejtës, i mbështetur mbi parimet e barazisë, drejtësisë dhe transparencës, tha ajo.

Kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu, u shpreh se udhëheqja e Kryeministrit Albin Kurti ka dëshmuar rezultatet që mund të arrihen kur populli dhe shteti janë mbi çdo gjë tjetër.

“Pas lirisë, për herë të parë është vendosur rendi dhe ligji në çdo cep të territorit të Kosovës, duke treguar qartë se vendi ynë është i pandashëm. Ushtria jonë po forcohet çdo ditë, policia është ndër më të përgatiturat në rajon, dhe qytetarët ndihen të sigurt kudo”, tha ai, thuhet në komunikatën e LVV-së.