Sporti

Astrit Hasani emërohet këshilltar i KOK-ut për marrëdhënie ndërkombëtare

02/20/2025 15:09
nga:Mergim Rreci

Një kontribues i madh i sportit kosovar, Astrit Hasani është emëruar këshilltar i KOK-ut për marrëdhënie ndërkombëtare.

“Bordi Ekzekutiv i KOK-ut në mbledhjen e parë të ciklit olimpik 2021 – 2025 ka votuar unanimisht propozimin e presidentit Ismet Krasniqi për emërimin e Dr. Astrit Hasani, këshilltar i KOK-ut për marrëdhënie ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Komitetit Olimpik.

Hasani, ish-kryetar i Federatës së Peshëngritjes së Kosovës, është arkëtar (thesar) dhe anëtar i Bordit Ekzekutiv të Federatës Evropiane të Peshëngritjes që nga viti 2016. Momentalisht është kandidat për president të Federatës Evropiane të Peshëngritjes me mbështetje të plotë nga KOK-u.

Hasani ka një shkollim superior me magjistraturë në Universitetin prestigjioz të Kembrixhit dhe doktoraturën në Universitetin e Varshavës. Është i njohur në Federatën Botërore të Peshëngritjes për qëndrimin e tij që sporti është mbi politikën.

Krahas tyre, i ishte besuar pozita e CEO-së për organizimin e Kongresit Zgjedhor të Federatës Botërore të Peshëngritjes, të mbajtur në vitin 2022 në Tiranë të Shqipërisë, organizim që më vonë organizata “Albanian Excellence” i dha çmimin “The Grand Excellence Award”.

Po ashtu, për shkak të kontributit në peshëngritjen evropiane, vitin e kaluar në Varshavë të Polonisë në Kongresin Evropian, pranoi çmimin e madh evropian “Ylli i Artë”.