Milani dhe portieri Mike Maignan, mund të rinovojnë kontratën mes tyre.
Gjatë kësaj jave pritet një takim mes drejtuesve të klubit dhe agjentit të portierit francez për të zyrtarizuar marrëveshjen e re.
Propozimi i Milanit përfshin një kontratë deri në vitin 2029, me një pagë që arrin në 7 milionë euro në vit së bashku me bonuset.
Kjo shifër e rendit atë si lojtarin më të paguar të skuadrës, krahas sulmuesit Rafael Leao. Ky hap synon të shmangë interesin e klubeve si Juventus, Chelsea dhe Manchester United për shërbimet e tij.
Situata ka ndryshuar ndjeshëm pas një periudhe tensioni në fillim të vitit 2025, kur negociatat ishin ndërprerë. Mbështetja e trajnerit Max Allegri dhe performancat e fundit të portierit kanë ndikuar në rikthimin e vullnetit për bashkëpunim.
Aktualisht, te drejtuesit e Milanit mbizotëron një optimizëm për arritjen e akordit.


