Lajme

Kjo është kompania zvicerane e angazhuar nga MINT për garantimin e cilësisë së naftës

06/29/2021 21:56
nga:M K

Kosova është përballur vazhdimisht me cilësi të dobët të naftës. Duke mos qenë kontrolli i brendshëm në nivelin e duhur qytetarët janë ankuar vazhdimisht për naftë të keqe. Mirëpo tani Qeveria e Kosovës do të ndihmohet nga një kompani zvicerane për të siguruar që nafta të jetë në nivelin e kënaqshëm.

Kompania me bazë në Zvicër, e quajtur SICPA, pritet të fillojë të punojë në Kosovë për të ndihmuar qeverinë të përmirësojë kontrollin e cilësisë së naftës në tregun e brendshëm. Kompania përkatëse do të vendosë në muajt e ardhshëm në Kosovë Programin e Integritetit të Karburantit, i cili do të përfshijë gjithashtu shënimin molekular të naftës. Kjo kompani ka rreth 100 vjet përvojë pune dhe ka zhvilluar një teknologji të sofistikuar në lidhje me monitorimin e cilësisë së naftës.

Angazhimi i kompanisë nga Zvicra vjen edhe si rezultat i faktit se Kosova nuk ka arritur të ketë një sistem efektiv për të kontrolluar dhe monitoruar cilësinë e naftës. Kjo është e konfirmuar gjithashtu nga një raport gjithëpërfshirës i Zyrës Kombëtare të Audimit të Republikës së Kosovës, i cili konkludon se “Sistemi ekzistues i kontrollit dhe monitorimit të cilësisë së derivateve të naftës nuk është në gjendje të sigurojë cilësinë e derivateve të naftës në importe dhe në tregun e brendshëm.”

Gazeta ka kontaktuar kompaninë SICPA për të kuptuar më shumë rreth kredencialeve të tyre për implementimin e zgjidhjeve për kontrollin e cilësisë së naftës. Përgjigjet që ka marrë lajmi.net kuptohet se SICPA është kompani që bashkëpunon me qeveri dhe banka të ndryshme botërore.

“Kompania është furnizuesi kryesor global i karakteristikave të sigurisë të bazuara në bojë për kartëmonedha dhe dokumente me vlerë të tilla si pasaportat. Ofron zgjidhje unike për authentikimin e sigurt, identifikimin, gjurmueshmërinë dhe zinxhirët e furnizimit. [Kompania] punon ngushtë me qeveritë dhe bankat qendrore duke mbrojtur praktikisht të gjitha kartëmonedhat e botës duke përfshirë monedhat kryesore si Euro, dollari amerikan dhe franga zvicerane”, thuhet në përshkrimin që ka bërë kompania mbi veprimtarinë e saj.

Për më tepër, dhe e rëndësishme për kontekstin e Kosovës në lidhje me cilësinë e naftës, kompania shpjegoi se ata kanë zhvilluar një platformë që mundëson “një gamë të gjerë të gjurmueshmërisë së produkteve. Duke kombinuar materialin dhe teknologjinë dixhitale kjo platformë ofron mënyrë të sigurt dhe të veçantë të shënjimit të produkteve, ofrimin e dëshmieve të vërtetësisë dhe [platforma] vepron si një pasaportë produkti që lejon gjurmueshmërinë e gjithë ciklit jetësor të produktit.” Sipas SICPA, përdorimi i kësaj teknologjie është i rëndësishëm për qeveritë në inkasimin e akcizës. Kjo teknologji ofrohet nga SICPA për klientë të ndryshëm qeveritar, dhe mbështet përpjekjet e qeverisë për të adresuar tregtinë e paligjshme, si dhe për të mbrojtur industrinë dhe konsumatorët.

Tutje kompania ka sqaruar se në muajt e ardhshëm ata do të fillojnë punën në Kosovë, për të ndihmuar qeverinë të zbatojë një program për të monitoruar dhe siguruar cilësinë e karburantit. SICPA ofron edhe atë që e quajnë zgjidhja e Menaxhimit të Integritetit të Naftës dhe Gazit, e cila ka aftësi të zbulimit në kohë reale të cilësisë së naftës që sigurohet nga një laborator mobil, i cili konsiderohet si më i miri në treg, në klasën e vetë.

Pasojat e mashtrimit dhe manipulimit me cilësinë e naftës janë të shumta dhe serioze, përfshirë për mjedisin si rezultat i hollimit të naftës dhe produkteve të sajë, si dhe për qeverinë në formën e evazionit fiskal duke pamundësuar inkasimin e taksave.