Lajme

Kjo është puna e re që pritet të bëjë ish-kancelari Kurz

12/31/2021 10:39
nga:Y I

Mediet austriake raportuan të enjten se ish-kancelari Sebastian Kurz, i cili dha dorëheqje pas dyshimeve për korrupsion, do të punojë për kompaninë investuese të miliarderit gjermano-amerikan, Peter Thiel, “Thiel Capital”.

Gazeta “Kronen Zeitung” dhe portali “Heute” raportuan se ish-kancelari Kurz ka konfirmuar për to se do të punojë si strateg global në kompaninë e themeluar nga miliarderi Peter Thiel, duke filluar nga çereku i parë i vitit 2022.

Politikani 35-vjeçar dha dorëheqje nga posti i kancelarit në fillim të tetorit pas dyshimeve të vazhdueshme për korrupsion dhe në fillim të dhjetorit hoqi dorë nga të gjitha postet politike, përfshirë pozitën e kryetarit të Partisë Popullore Austriake, shkruan Reuters.

Ai është në mesin e dhjetë të dyshuarve për shkallë të ndryshme të shkeljes së besimit, korrupsion e ryshfet në një rast në të cilin prokurorët pretendojnë se fondet publike janë përdorur për të kryer anketa të manipuluara në mënyrë sekrete, të publikuara në atë mënyrë që ta ndihmonin Kurz-in që të bëhej kryetar partie e më vonë kancelar më 2017.

Ai i ka mohuar të gjitha akuzat.

Portali “Heute”, duke i cituar burimet e afërta me politikanin, tha se ish-kancelari do të udhëtojë mes Evropës, ku do të mbetet familja e tij, dhe Shteteve të Bashkuara, ku e ka selinë kompania për të cilën do të punojë.

Në SHBA rritet numri i fëmijëve të shtruar në spitale prej Covid